Alarm në Barcelonë, Messi dërgohet në spital pas lëndimit ndaj Sevillës

Sport October 20, 2018 - 22:45
Lajmet e fundit nga sporti

Barcelona është alarmuar me shkallën e lëndimit të Lionel Messit, i cili është dërguar në spital për tretman të mëtejmë pasi u detyrua ta braktisë fushën e lojës pas vetëm një çereku lojë ndaj Sevillës të shtunën në “Camp Nou”.

Pas një çereku lojë, gjatë të cilit Messi shkëlqeu me një super asist dhe me një gol fantastik, argjentinasi e lëndoi dorën e djathtë pasi një rrëzimi të pakëndshëm, raporton Express.

Messi u përpoq të kthehej në fushë pasi mori tretman mjekësor për rreth 10 minuta, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Si rrjedhojë, ai u zëvendësua nga Ousmane Dembele.

Messi, në fakt është dërguar direkt në qendrën mjekësore “Ciutat Esportiva de Sant Joan Despi”, raporton Catalunya Radio.

Messi pritet t’iu nënshtrohet testeve mjekësore për të mësuar shkallën e lëndimit, edhe pse Cataluyna Radio raporton se argjentinasi mund ta ketë thyer dorën.

Shqetësimi në Barcelonë është logjik. Kjo pasi Barça do t’i ketë dy ndeshjet tejet të rëndësishme javën që vjen. Të mërkurën do të ndeshet me Interin në Ligën e Kampionëve, dhe pastaj me Real Madridin në La Liga të dielën.