ZYRTARE: Ja me sa klube do të paraqitet Kosova në garat evropiane sezonin tjetër!

Sport October 01, 2018 - 17:58
Detajet

Futbolli kosovar do të paraqitet në garat evropiane me dy klube edhe sezonin e ardhshëm, shkruan Zeri.info.

Këtë e ka bërë të ditur sot Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një njoftimi, pasi e ka marrë konfirmimin nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).

Në fakt, skuadrat kosovare patën paraqitje pozitive këtë sezon në garat evropiane dhe indikacionet e para thoshin se sezonin e ardhshëm Kosovës do të mund t’i lejohej pjesëmarrja me tri klube.

Por, kështu nuk ka menduar edhe shtëpia e futbollit evropian, e cila i ka dhënë “vulë” vendimit që edhe një vit tjetër, në garat evropiane të marrë pjesë kampioni i Kosovës dhe fituesi i Kupës së shtetit.

Gjithashtu, FFK-ja ka bërë të ditur se klubet kosovare do të marrin pjesë përsëri nga faza parakualifikuese, përkundër faktit se Drita luajti në rrethin e dytë kualifikues të Europa Leagues, ndërsa Prishtina në rrethin e parë.

Gjilanasit e kishin kaluar rrethin parakualifikues të Ligës së Kampionëve dhe ishin eliminuar në rrethin e parë, për të vazhduar më pas në rrethin e dytë të Ligës së Evropës. Kurse, prishtinasit e kishin kaluar po ashtu rrethin kualifikues në Europa League dhe ishin eliminuar në rrethin e parë.

“Shtëpia Evropiane e Futbollit (UEFA) sot ia ka komunikuar edhe zyrtarisht Federatës së Futbollit të Kosovës që edhe në edicionin pasues të garave evropiane 2019-2020, në garat e UEFA-s do të marrin pjesë dy klube nga Kosova. Në këtë rast kampioni në rrethin parakualifikues të Ligës së Kampionëve, kurse fituesi i Kupës ashtu si edhe deri tani do të marrë pjesë në rrethin parakualifikues të Europa Leagues”, ka njoftuar FFK-ja.

Kjo e fundit zbulon se ka kërkuar t’i shtohet një klub në garat evropiane, por që kërkesa e saj nuk është përfillur nga UEFA.

Ndërkohë, FFK-ja shpreson që klubet kosovare të kenë rezultate të kënaqshme në sezonet pasuese, në mënyrë që t’ua shoh hairin i gjithë futbolli i këtushëm, me ngritjen e numrit të klubeve pjesëmarrëse dhe me pjesëmarrjen nga rrethi i parë kualifikues.

“Cikli i prezantimit të klubeve në garat e UEFA-s ndryshon çdo tri vjet, prandaj përkundër rezultateve pozitive të klubeve të Kosovës në kampanjën e fundit të ndeshjeve në garat e UEFA-s dhe kërkesës së FFK-së për shtimin e të paktën një klubi në garat ndërkombëtare, ai ndryshim nuk ka reflektuar menjëherë, por efektet mund të ndodhin në vitet në vijim. Të shpresojmë se një gjë e tillë do të ndodhë, por kjo varet shumë nga paraqitja e skuadrave të Kosovës në këto dy gara prestigjioze”, ka përfunduar FFK-ja. /Zëri/