'Intelektualët': Gjilani, ekip provincial që ka tentuar ta trashëgojë historinë e klubit të serbëve

Sport September 25, 2018 - 16:44
Detajet

Tifozët e Dritës “Intelektualët” kanë qenë të parët që e kanë ndezur zjarrin para derbit të Anamoravës ndaj Gjilanit, shkruan Zeri.info.

Ata insistojnë se ndeshja e së dielës nuk mund të konsiderohet si derbi, pasi përballë kanë një klub pa histori dhe provincial, ndërkohë që ekipin Kuqebardh e kanë akuzuar se ka tentuar ta trashëgojë historinë e klubit të serbëve.

“Derbi i Anamoravës? Një ndeshje për t’u quajtur derbi duhet të plotësohen disa kushte, fillimisht duhet që dy skuadrat të kenë në sirtarë tituj kampioni dhe së dyti, duhet të kenë vite ekzistence ose edhe histori pas vetes. Ndeshja e radhës na vë përballë një skuadre pa traditë, pa kulturë e mbi të gjitha përballë kemi një skuadër që ka tentuar ta trashëgojë historinë e ekipit të shkijeve, pra nga klubi që ka ADN në Serbi”, kanë shkruar fillimisht tifozët e Dritës në “Facebook”.

“Po e lëmë anash të kaluarën dhe ta shohim të tashmen, pasi rivali në fjalë nuk është se ka shumë të kaluar dhe traditë. Skuadra rivale në fjalë, ajo provinciale, përballjen ndaj Dritës gjithmonë e ka pasur speciale, sepse gjithmonë ka pasur përballë një skuadër kampione e me traditë siç është Drita”, kanë shtuar “Intelektualët”, të cilët nuk janë ndalur me kaq.

“Për Dritën derbi i vërtetë janë kupat e Evropës, saktësisht Champions League. Thjesht për një arsye të vetme, sepse nuk mund të quhet derbi kur një skuadër është provinciale e tjetra garon në garën më elitare për klube, Ligën e Kampionëve”, kanë përfunduar tifozët Bardhekaltër. /Zëri/