Neymar duhet të punojë si Mbappe e Cavani

Sport September 25, 2018 - 13:55
Detajet

Samuel Eto’o thotë se Paris Saint-Germaini do të ketë suksese të mëdha nëse Neymar fillon të punojë në aspektin mbrojtës ashtu si Edinson Cavani e Kylian Mbappe, transmeton zeri.info

Tre herë fituesi i Ligës së Kampionëve beson se klubi francez ka potencial për të arritur shumë këtë edicion, por vetëm nëse Neymari punon më shumë.

Neymari u kritikua për aspektin mbrojtës pas humbjes 3:2 ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve, por edhe pse braziliani e ndihmoi ekipin e tij drejt fitores 3:1 në fundjavë ndaj Rennesit, Eto’o mendon se ai duhet të japë edhe më shumë.

“Ne duam ta shohim Neymarin duke vrapuar pas mbrojtësve që ta ndihmojë ekipin e tij. Cavani e bënë këtë gjë, por nuk është e vlefshme nëse e bën vetëm një lojtar. Mbappe e bën gjithashtu, por figura kyçe është Neymari. Nëse ai e bën, i gjithë ekipi do të kthehet dhe do të vrapojë”, deklaroi Eto’o.

“PSG-ja duhet të luajë si ekip. Nëse të gjithë mbrojnë, ata do kenë të gjitha shanset për të fituar. Franca e fitoi Kupën e Botës sepse u mbrojt mirë”, shtoi kamerunasi./Zëri