Erza, 'Majlinda' e ardhshme

Sport September 19, 2018 - 10:58
Detajet

Majlinda Kelmendi tashmë është emër i famshëm në botë. Ajo është bërë inspirim për gjeneratat e reja, të cilat e sigurojnë Kosovën se do të ketë të ardhme të ndritshme gjithmonë në xhudon botërore. Njëra ndër to është edhe Erza Muminoviqi, e cila ushtron në një klub me Majlinda Kelmendin dhe me trajnerin Driton Kuka. Ajo vlerësohet si pasuri shtetërore edhe nga vetë Komiteti Olimpik i Kosovës. Kurse trajneri Driton Kuka ka pritshmëri të mëdha prej kampiones evropiane për të rinj, e cila synon medalje në Olimpiadën e të Rinjve, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Xhudoja kosovare sigurt ka të ardhme të ndritshme. Derisa Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova dhe disa të tjerë janë bërë emra të njohur në nivelet më të larta të xhudos botërore, Kosova po e rrit edhe një gjeneratë me të ardhme të ndritshme dhe shenjat po i jep qysh në fëmijëri. Njëra prej xhudisteve më premtuese është Erza Muminoviqi, e cila natyrisht se sinonim e ka kampionen olimpike dhe sportisten më të suksesshme kosovare, Majlinda Kelmendin.

Erza është vetëm 16-vjeçare e prodhuar në “fabrikën” e Driton Kukës, në klubin e Majlinda Kelmendit në Pejë, “Ippon”. 16-vjeçarja do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj, që mbahen gjatë tetorit në Buenos Aires. Kjo olimpiadë është e para për Kosovën, ku Erza është e vetmja nga Kosova që do të shkojë me normë të fituar, kurse Erdonis Maliqi (boks), Muhamet Ramadani (atletikë), Bleron Fetaovski (peshëngritje) dhe Melisa Zhdrella (not) do të marrin pjesë me ftesa.

Erza në këtë olimpiadë do të shkojë si kampione evropiane për kadetë. Në fund të qershorit ajo e fitoi medaljen e artë në Evropianin e mbajtur në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës. Erza aktualisht edhe e kryeson renditjen botërore të xhudisteve në kategorinë -44 kilogramë, shkruan “Zëri”

“Dëshira e madhe për sportin e xhudos më ka frymëzuar që të merrem me këtë sport”, thekson Erza. “Normalisht nuk e kam pritur që do ta fitojë normën olimpike, por pas të gjitha sukseseve të këtij viti unë ia arrita këtij qëllimi”, thekson ajo duke folur për uebfaqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Institucioni më i lartë sportiv në vend e çmon dhe e vlerëson Erzën si pasuri shtetërore. “Duke u nisur nga fakti se Erza është renditur e para në renditjen botërore për kadetë, duke u mbështetur në përgatitjet e realizuara nga KOK-u dhe Federata e Xhudos së Kosovës jam i bindur se Erza do të ngjitet në podium për medalje”, tha presidenti i KOK-ut, Besim Hasani.

Majlinda, inspirimi i Erzës

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, thur lavde për nxënësen e saj, e cila e bën të ndihet krenar. Erza Muminoviqin trajneri i vet e sheh si kandidate serioze për të fituar medalje të artë në Olimpiadën Verore për të Rinj, sidomos për faktin se 16-vjeçarja është kualifikuar në këtë ngjarje të madhe si kampione evropiane dhe me normë të fituar. “Duke u nisur nga fakti se Erza është renditur e para në renditjen botërore për kadetë (kategoria -44 kg), dhe mbështetur në përgatitjet e realizuara nga KOK e Federata e Xhudos së Kosovës, jam i bindur se Erza do të ngjitet në podium për medalje”, tha presidenti Hasani.

'“Erza është një vajzë e lindur në Pejë dhe jeton vetëm 50 metra larg nga palestra e klubit ‘Ippon’”, tregon Kuka. Shembull dhe motiv i karrierës së Erzës pa dyshim që është Majlinda Kelmendi, me të cilën jeton në një lagje në Pejë. Është vajzë e talentuar, e cila potencialin e saj në arenën ndërkombëtare e ka treguar sivjet. Për mua ajo është tregues që kemi krijuar vazhdimësi të punës serioze dhe të rezultateve. Erza është kandidate serioze për medalje në Argjentinë. Patjetër, ky është synimi ynë. Ka gjasa reale”, thekson Kuka.

Por, a është Erza pasardhëse e Majlinda Kelmendit? “Për të folur se a kemi një pasardhëse të Majlindës është herët të flitet, por Erza me punë serioze besoj që do të bëhet sportiste kulminante në të ardhmen”, shton përzgjedhësi i Kosovës.

E vetë Erza ëndërron për t’u bërë si Majlinda Kelmendi. “Mendoj që jo vetëm për mua, por për të gjithë xhudistët idhulli ynë është Majlinda Kelmendi”, shprehet Erza./Zëri