Futbollisti miliarder

Sport September 17, 2018 - 12:22
Detajet

Faiq Bolkiah ka botën nën këmbët e tij. Nipi i Sulltanit të Bruneit, i cili ka një pasuri prej 15 miliardë funtesh, është futbollisti i ri më i pasur në botë. Sulmuesi momentalisht luan me ekipin e rezervave të Leicester Cityt. Ai gjithashtu kishte pasur një koncert privat me Michael Jacksonin gjatë fëmijërisë së tij, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Faiq Bolkiah, 19-vjeçar, është momentalisht lojtar i Leicester Cityt dhe luan me ekipin e rezervave për të marrë sa më shumë përvojë. Sulmuesi anësor është njëri prej pasardhësve të pasurisë 15 miliardë funtesh të Sulltanit Brunei. Babai i tij është Jefri Bokliaj, vëllai i manjatit të naftës, kështu që kjo e bën Faiqin një pjesëtar të familjes mbretërore. Por kjo nuk e ka ndaluar atë që t’i shmanget miliardave të familjes së tij. Ai është i lumtur që luan për rezervat e Leciesterit. “The Sun” sjell historinë e njeriut që nuk ka nevojë të punojë për të jetuar.

Konkurrenca ishte e egër për të gjatë rinisë

Pasi kishte luajtur në futbollin e të rinjve me AFC Newburyn, Faiq nënshkroi një kontratë njëvjeçare me akademinë e famshme të Southamptonit në vitin 2009. Ai nuk bëri mjaftueshëm për t’ia siguruar vetes një kontratë të plotë dhe shkoi në prova te Arsenali më 2013-n, duke luajtur për “Topçinjtë” në Lion Coty Cup. Faiq arriti të shënojë në atë garë kundër të rinjve të Singaporit. Të alarmuar nga disponueshmëria e tij, Chelsea i ofroi kontratë dyvjeçare më 2014-n. Por ai u largua nga “Stamford Bridge” më 2015-n për të nënshkruar kontratë trevjeçare me Leicesterin.

Kapiten i ekipit të tij kombëtar

Pavarësisht se ende nuk ka luajtur futboll profesionist në Angli, Faiq ka luajtur nëntë herë për fanellën e Bruneit, duke shënuar një gol. Për më tepër, ai është shtyllë e ekipit kombëtar dhe ka qenë kapiten i tij prej vitit 2017. Rastësisht ai kishte lindur në Los Angjeles, kështu që mund të kishte përfaqësuar SHBA-në, por ai ishte besnik ndaj familjes së tij.

Babai i Faiqit ka një karakter interesant

Ai mund të ketë një sjellje të pafajshme, por babai i tij Jefri Bolkiah ishte njohur si plejboji i familjes mbretërore të Bruneit. Jefri raportohet se ka jetuar një jetë të shfrenuar dhe kishte harxhuar rreth 10 miliardë funte gjatë 15 vjetëve të tij në krye të Agjencisë së Investimeve të Bruneit. Në një pikë ishte raportuar se ka shpenzuar 35 milionë funte në muaj për makina, në ora dhe shpenzonte mbi 1 milion funte për festa nën praninë e femrave të bukura. Jefri besohet se kishte pasur nën pronësi 2300 makina, duke përfshirë makina të tipit “Bentley”, “Ferrari” dhe “Rolls-Royce”.

Michael Jackson ishte në listën e thirrjeve të shpejta të tij

Të qenit fëmijë i pasur i ka avantazhet e veta, sidomos nëse jeni Faiqi. Kur babai i tij deshi të festonte 50-vjetorin e tij, ai gjithashtu dëshironte ta impresiononte djalin e tij 7-vjeçar. Dhe çfarë bëri? Ai e mori Michael Jacksonin që të paraqitej në një koncert privat për të dhe për familjen e tij. Jefri e pagoi Jacksonin rreth 12.5 milionë funte për privilegjin që i ishte faturuar familjes mbretërore të Bruneit. Për të plotësuar nevojat Michaelit, Jefri gjithashtu ndërtoi një stadium për këtë rast.

Faiq është i vendosur që t’i shmanget pasurisë së tij për t’u bërë futbollist

“Kam luajtur futboll qysh se e mbaj në mend dhe që prej një moshe të re gjithmonë e kam shijuar daljen në fushë dhe topin nën këmbët e mia. Prindërit e mi gjithmonë më kanë përkrahur për ta realizuar ëndrrën time për t’u bërë futbollist. Ata më përgatitën shumë psikologjikisht dhe fizikisht gjatë viteve të fëmijërisë, kështu që mund të them që ata janë modeli im”, ka deklaruar ai. Me një vendosmëri të tillë ai pa dyshim që mund të arrijë shumë. Por nëse nuk ia del, nuk është se ai ka për të dështuar në jetë./Zëri