E respektoj sinqeritetin e Guardiolas, por jo edhe mendimin e tij

Sport September 14, 2018 - 13:44
Detajet

Joe Hart thotë se nuk ka probleme me ish-trajnerin e tij Pep Guardiola, madje portieri anglez e vlerëson sinqeritetin që spanjolli e tregoi ndaj tij te Manchester City, Sidoqoftë, ai nuk e respekton edhe mendimin e Guardiolas, shkruan zeri.info

Jose Hart thotë se ai e respektoi sinqeritetin e trajnerit të Manchester Cityt, Pep Guardiola, kur spanjolli vendosi ta largojë nga skuadra portierin, por ndien se kritikat ndaj lojës së tij nuk janë të drejta. Reprezentuesi anglez kishte qenë portieri i parë i Manchester Cityt para ardhjes së Guardiolas, i cili e dërgoi atë në huazim te Torino dhe te West Hami, ndërsa solli në ekip Claudio Bravon dhe Edersonin.

31-vjeçari i është bashkuar Burnleyt gjatë verës dhe tani është duke i shijuar përsëri paraqitjet si titullar në Premierligë dhe thotë se ai nuk mban inat ndaj strategut spanjoll, edhe pse e pranon se nuk e respekton mendimin e tij për të. “Gjithçka është në rregull me Pepin. Mendoj se ai është një trajner i madh. Ai erdhi tek unë dhe ishte shumë i sinqertë me mua. Unë e shikova në sy dhe ia shtrëngova dorën, e falënderova atë për sinqeritetin. Nuk e falënderova për mendimin e tij, por sinqeriteti i tij ishte i rëndësishëm. Ne provuam që të nxirrnim më të mirën nga një situatë e keqe për të dy”, deklaroi Hart për “Sky Sports”.

“Ndodhi siç ndodhi. Unë e kapërceva, punova shumë, u stërvita me Cityn. Isha i mirëseardhur në fazat përgatitore të kaluara. Mund të kishte qenë e çuditshme, por nuk ishte”, shtoi reprezentuesi anglez.

31-vjeçari nuk u kushton vëmendje kritikave për stilin e lojës së tij dhe aftësive teknike, edhe pse ka qenë një çështje që e ka rrethuar gjatë dy vjetëve të fundit. “Unë bëj atë që më kërkon trajneri, nga aftësitë e mia më të mira. Nuk po them që jam brilant ose i përkryer. Kjo është ndoshta gjëja e nivelit më të lartë që më ka ndodhur gjatë viteve të fundit, komente të tilla, më shumë se ajo që vlen realisht”, shprehet ai.

Hart nuk ka luajtur për përfaqësuesen angleze që prej nëntorit të vitit 2017, duke humbur edhe vendin për Kupën e Botës, por ai do të gëzohej nëse do t’i ofrohej shansi për t’u rikthyer në ekipin e Gareth Southgatet. “Nëse do të më kërkohej që të luaja për Anglinë nesër do të isha i gatshëm, por në këtë moment trajnerët gjithmonë do të kenë mendimet e tyre. Unë thjesht mund ta bëj timen, në nivelin tim më të lartë dhe pastaj u takon të tjerëve. Gjërat që nuk më takojnë janë jashtë duarve të mia, se si duan të luajnë njerëzit u takon atyre. Unë do të vazhdoj të përpiqem. Burnley sigurisht është prioriteti im dhe çfarëdo që të ndodhë, ndodh. Unë mund të kisha një verë të gjatë duke ndier keqardhje për veten, por e dua veten, i dua sfidat. Vera ishte e mrekullueshme. Unë isha i çliruar edhe nga fjalët që nuk isha pjesë e ekipit në Kupën e Botës, por duhet të bëni më të mirën. Unë kisha një verë fantastike, e shijova atë. Unë e mora veten në fazën përgatitore dhe jam i gatshëm për çdo gjë”, përfundoi portieri./Zëri