Futbollistët anglezë po vuajnë në Premierligë

Sport September 11, 2018 - 14:22
Detajet

Talentët anglezë nuk po kanë hapësirë të mjaftueshme të lojës në Premierligë. Lojtarët anglezë kanë luajtur vetëm 30,5% të 79.200 minutave të luajtura deri më tani në edicionin e ri në Premierligë, ndërkohë që në vitin e kaluar kjo shifër ishte 33%. Përzgjedhësi i Anglisë Gareth Southgate, i cili e drejtoi kombëtaren drejt gjysmëfinales në Kupën e Botës, ka filluar një debat për hapësirën e paktë të futbollistëve vendas në Premierligë, shkruan sot, gazeta “Zëri”

I trimëruar pas Kupës së Botës dhe ndoshta i vetëdijshëm për mundësitë e së ardhmes Gareth Southgate ka nisur një debat sfidues për rritjen e numrit të titullarëve të futbollistëve anglezë në klubet e Premierligës. Debati është duke u zhvilluar qysh prej akademive e deri në nivelin qeveritar dhe pavarësisht se problemet janë më të lehta për t’u identifikuar sesa zgjidhjet nuk është një debat që Federata Angleze e Futbollit do ta lejojë të shuhet lehtë. “Pishina jonë vetëm sa është duke u zvogëluar”, kishte deklaruar Southgate në konferencën e parë për shtyp të tij pas Kupës së Botës, ku ai e udhëhoqi përfaqësuesen deri në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.

Lojtarët anglezë kanë luajtur vetëm 30,5% të 79.200 minutave të luajtura në Premierligë deri më tani në këtë edicion, një rënie nga 33% sa ishte në vitin e kaluar, por kjo mund të jetë edhe për shkak të qëndrimit më të madh të ekipit kombëtar në Rusi dhe kthimin e tyre të vonshëm në klubet e tyre. Në mesin e gjashtë klubeve të para të futbollit anglez numri i titullarëve bie në 20%, një shifër kjo alarmante për një trajner anglez që kërkon të përzgjedhë nga një pishinë sfiduese dhe me presion të lojtarëve që luftojnë për titull dhe kanë përvojë në gara evropiane.

Chelsea dhe Arsenali janë shumë poshtë në listë me një kombinim prej 172 minutash për Ruben Loftus-Cheekun dhe Ross Barkleyn, plus një total prej 56 minutash për Danny Welbeckun dhe Ainsley Maitland-Niles. Më së shumti mundësi lojtarëve anglezë deri më tani u është dhënë nga Burnley dhe Bournemouthi, duke ua dhuruar 2000 minuta futboll në Premierligë pas katër xhirove.

Southgate citoi dyshimin e trajnerëve të top-klubeve për të ndihmuar në këtë proces. Aidy Boothroyd, trajneri i Anglisë U-21, beson se prirja e trajnerëve për të shikuar talentë jashtë vendit është një fakt tjetër. Sean Dyche dhe Eddie Howe, trajnerët më jetëgjatë në ligë, i përkrahin të dyja teoritë. “Kurrë nuk ka qenë një kohë më e mirë për të qenë një lojtar i Anglisë pavarësisht moshës”, thotë Boothroyd. Sukseset ndërkombëtare e tregojnë këtë pas triumfeve të Anglisë U-20 dhe U-17 në Botëror, duke shtuar kështu fitimin e Kampionatit Evropian nga ekipi U-19 në verën e kaluar. Sidoqoftë, ka një kufi të zhvillimit që Boothroyd frikësohet se ekziston në Premierligë. Lewis Cook dhe Dominic Calvert-Lewin luajnë rregullisht për Bournemouthin dhe Evertonin, por asnjëri prej ekipit U-20 anglez, që e fitoi Kupën e Botës në vitin 2017, nuk e ka stabilizuar veten si një futbollist titullar.

Trajneri i ekipit U-21 anglez, që është i shqetësuar për minutat e pakta të Dominic Solankes te Liverpooli, thotë: “Në të kaluarën kemi pasur trajnerë britanikë që u kanë dhënë shanse të shumta lojtarëve britanikë për t’ia dalë mbanë. Tani loja është globale. E shikoj klubin tim të vejtur Watfordin dhe është një klub krejtësisht ndryshe sesa kur isha unë. Pronarët e huaj dhe trajnerët e huaj ndoshta shikojnë së pari jashtë para se të shikojnë rreth vetes”.

Por, cila është zgjidhja? “Ne kemi provuar një kuotë, apo jo?”, thotë Boothroyd. “Unë me të vërtetë nuk e di përgjigjen. Është në një nivel tjetër nga ai ku jam unë dhe jam i lumtur në fushë duke zgjedhur lojtarët më të mirë. Lojtarët e rinj tashmë janë duke menduar që të luajnë jashtë së pari. E adhuroj këtë për shumë gjëra. Unë mendoj se është një gjë e shkëlqyeshme që ata duan të mësojnë një gjuhë të re dhe një përvojë tjetër kulturore dhe mënyra të ndryshme të lojës, por fakti se ata duhet të shkojnë jashtë është një alarm i kuq për autoritetet. Ata do të mendojnë: ‘Prisni një minutë, pse po ndodh kjo? ’Por, unë jam i frikësuar që nuk e kam përgjigjen”, shton ai.

Kuotat mund të rriten pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, që mund të sjellë një konflikt të mundshëm mes Federatës dhe Premierligës dhe mund ta plotësojë dëshirën e Southgatet që debati për talentët vendas të vazhdojë.

Vështirësitë kanë bërë që lojtarët anglezë t’u bashkohen klubeve si Borussia Dortmund, Borussia Mönchengladbach, Hoffenheim, Leipzig dhe Wolfsburg gjatë muajve të fundit. Sipas drejtorit të akademisë së Premierligës, trendi është duke vazhduar edhe në nivelin e juniorëve dhe vetëm sa do të përshpejtohet pas Brexitit. “Talenti ekziston, thjesht ka të bëjë me dhënien e mundësisë”, shprehet James Maddiosn. “Nuk jam i sigurt se çfarë mund të bëjmë për ta ndaluar problemin, por talenti ekziston”, përfundoi ai./Zëri