Guendouzi, i vendosur për t’i arritur majat

Sport August 31, 2018 - 11:22
Detajet

Matteo Guendouzi është sensacioni më i fundit tek Arsenali. Pakkush do ta mendonte se ish-ylli i Lorientit do të kishte hapësirë të madhe te klubi londinez në këtë fillim të edicionit. Por, vendosmëria dhe paraqitjet e tij të mira në fazën përgatitore të anglezëve kanë bërë që ai të vlerësohet lart nga Unai Emery, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Derisa një epokë e re ka filluar në “Emirates”, është një transferim i ri që ka marrë vëmendjen e Arsenalit të Unai Emerys. Lucas Torreira pritej që t’i zinte ballinat e gazetave pas transferimit në Arsenal, por është mesfushori 19-vjeçar Matteo Guendouzi që është vënë në qendër të vëmendjes.

Me vetëm tetë paraqitje në një ligë elitare Guendouzi nuk pati ndonjë bujë të madhe pasi u transferua nga klubi i kategorisë së dytë franceze Lorient te Arsenali për 7 milionë funte në korrik. Por, pasi luajti një rol kyç në fitoren 5:1 të Arsenalit ndaj Paris Saint-Germainit në një miqësore pati zëra të shumtë rreth Londrës Veriore që thoshin se ai mund të ketë një ndikim të menjëhershëm.

Lënia jashtë e Torreiras, një lojtar që u paraqit si titullar në të pesë ndeshjet e Uruguait në Kupën e Botës, në mesfushën e Arsenalit në ndeshjen e parë të londinezëve, në Premierligë kundër Manchester Cityt, ishte jashtë të gjitha pritjeve. Kështu ishte edhe paraqitja e Guendouzit. “Nuk e kisha parë kurrë këtë djalosh, kam dëgjuar për të, por kurrë nuk e kam parë duke luajtur, kështu që isha shumë i impresionuar nga stërvitja e parë”, ka deklaruar bashkëlojtari Henrikh Mkhitaryan. “Është një surprizë pozitive, shumë e madhe”, ishte shprehur Unai Emery.

Sidoqoftë, starti i furishëm i Guendouzit nuk është një befasi. Ishte filozofia e akademisë së Lorientit që e ndihmoi atë në formimin e tipareve të guximshme, gjë që e ka ndihmuar atë të qëndrojë me këmbë në tokë gjatë progresit të tij dhe shmangies së të qenët i mbingarkuar në javët e tij të para me Arsenalin.

I lënë i lirë nga Paris Saint-Germaini në moshën 14-vjeçare, ai ishte pjesë kyçe e kipit U-17 të Lorienttit, që u shpallën kampionë në Francë në 2015-ën dhe gjithashtu ai ishte pjesë e ekipit U-19 dy vjet më pas në humbjen ndaj Auxerres në çerekfinalen e Kupës së Francës për të rinj.

Siç ndodh edhe në çdo klub, të tjerët rreth tij dobësoheshin derisa Guendouzi vazhdonte të “lulëzonte”. Ndoshta diferenca kishte të bënte me vendosmërinë dhe kokëfortësia e tij, që më vonë do t’i kushtonte edhe me disa probleme. “Lorienti njihet për luajtjen e një stili të vetëm”, thotë gazetari sportiv Arnaud Huchet, i cili mbulon ngjarjet për Lorientin. “Christian Gourcuff (babai i ish-lojtarit të Milanit, Yoann) ishte trajner i Lorientit në dy periudha dhe ishte një mësues i vërtetë i futbollit. Ai është shumë i respektuar në Francë. Ai e zhvilloi atë stil për Lorientin në mënyrë që ata të kishin një formë të mësimit për lojtarët e rinj, por Guendouzi ka një pjesë të madhe të meritave. Ai është lindur i tillë dhe ai ka pasur guximin gjatë edukimit të tij. Ai tregoi fuqinë dhe kualitetin e njëjtë që po e tregon te Arsenali shumë herët, gjë që do të thotë se ai ishte shumë vetëbesues me topin, i thjeshtë, kishte vizion dhe aftësi teknike. Ai i ka pasur të gjitha këto që prej fillimit”, shprehet ai.

Personaliteti dhe aftësi e tij e ka ndihmuar Guendouzin që të impresionojë në çdo nivel që ka luajtur dhe pas disa paraqitjeve të mira në skuadrën B në kategorinë e katërt bënë që trajneri Sylvain Ripoli të vendosë ta ftojë futbollistin në ekipin e parë në edicionin 2016/2017. “Ai kishte zhvilluar një reputacion të mirë me ekipin e të rinjve dhe ishte një progres natyral për të. Ai është dukur si David Luiz, kështu që në Francë kur u pa për herë të parë në televizionin kombëtar kishte komente që bënin që ai tashmë të njihej para se njerëzit të shikonin talentin e tij”, shtoi Huchet.

Kur Ripoli ishte shkarkuar dy muaj pas fillimit të edicionit zëvendësuesi Bernard Casoni, një trajner me stil mbrojtës, nuk ishte i impresionuar me stilin e hapur të lojës, të cilën normalisht nuk pranonte ta pranonte. Vetëm kur Casoni u shkarkua dhe Mickael Landreau mori detyrën pas rënies nga liga në 2017-ën bëri që gjërat të përmirësoheshin për sulmuesin.

Në krishtlindjet e kaluara Manchester City dhe Tottenhami po vëzhgonin progresin e Guendouzit, por pak pas kësaj periudhe ata nuk kishin çfarë të shihnin, sepse lojtari ishte përjashtuar nga skuadra e Lorientit. Tensionet ishin rritur pasi ai kishte refuzuar të nënshkruante marrëveshje të re me klubin dhe një zënkë me Landreaun nuk e ndihmoi.

Në mesin e këtyre ngjarjeve presidenti Loic Fery deshi të ndërtonte disa ura lidhëse me talentin e premtuar të klubit. “Ai është shumë i talentuar dhe nuk mund ta fsheh se sa shumë e vlerësoj atë. Jam përfshirë personalisht në zhvillimin në kohën kur nënshkroi kontratën e parë profesionale, por edhe më shumë gjatë procesit të vazhdimit të saj. Por, pavarësisht afinitetit personal unë i marr vendimet e tij në bazë të zgjedhjeve sportive, që përfshijnë integrimin e grupit në fushë”, kishte thënë Fery.

Guendouzi eventualisht u rikthye në ekip, por shpresa për një pajtim ishte e vogël, e vonshme. Tifozët janë lutur për një zgjidhje me rezultatet që ishin më të dobëta pa të në ekip dhe marrëveshjet i kushtuan klubit me humbjen e pozitës për “Play-Off”.

Ylli i Lorientit u shit për 7 milionë funte në fund të sezonit të kaluar, një shumë mjaft e madhe për lojtarë të ligës së dytë franceze. Nëse do të kishte një fund të lumtur mes palëve, ishte ky fund.

Por, a do të jetë ai i domosdoshëm për Arsenalin siç ishte për klubin e vjetër? “Ai ka aftësitë futbollistike për të shkuar lart. Por, në terme të fuqisë fizike nëse do të kishte një mesfushor të madh, me fizik sikur të Patrick Vieiras në Arsenal, ai do të vuante shumë për të hyrë në skuadër në këtë moment. Është paksa herët të thuhet nëse ai do të ketë një karrierë fantastike dhe nëse ai e ka fuqinë mendore. Por, ai është i ri dhe ka vetëbesim me topin, ka aftësi të mira teknike, vizion, gjë që e ka treguar qysh në fillim”, përfundon Huchet./Zëri