10 vjet për t’u bërë yll

Sport August 28, 2018 - 11:39
Detajet

Kieran Trippier pati një paraqitje të jashtëzakonshme për Anglinë në kupën e botës “Rusia 2018”. Ai nuk e kishte bërë debutimin e tij me përfaqësuesen deri në qershor të vitit 2017, por shkëlqeu në Rusi. Suksesi e ka kthyer atë në një hero, por për ta arritur këtë atij i janë dashur dhjetë vjet punë, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Janë disa momente banale që tregojnë se një njeri tani i përket botës së të famshmëve, si për shembull rruga deri në ndonjë dyqan. Kjo i ka ndodhur Kieran Trippierit së fundmi në “Marks & Spencer”, aty ku ai e kuptoi se të gjithë dëshirojnë diçka nga ju sepse keni pasur një ndikim të madh tek ata.

Ai nuk po ankohet. Ai ende është duke jetuar me atë euforinë pas Botërorit. Derisa para tre muajsh mund ta kishin ndalur vetëm tifozët e Tottenhamit, ekspozimi para një audience globale duket sikur e gjithë bota dëshiron të ketë një fjalë me njeriun që debutimin e tij me Anglinë e bëri në qershor të vitit 2017, por ndoshta ishte mbrojtësi më i mirë i djathtë në Kupën e Botës.

Gruaja e tij Charlotte kishte hyrë në dyqan, duke i lënë Trippierit kujdesin e djalit të tyre 3-vjeçar, Jacob. “Isha i zënë duke ndjekur djalin tim të vogël, por njerëzit vinin tek unë edhe para Kupës së Botës, ata nuk e bënin këtë”, shprehet Trippier.

“Ne jetonim në fantazi kur ishin në Rusi dhe shihnim në rrjete sociale tifozët në rrugë dhe gjëra të tilla, por prejse jam kthyer jam takuar me shumë njerëz, madje edhe në kompleksin e shtëpisë së babait dhe të nënës sime. Është emocionuese në një mënyrë dhe unë ndiej sikur kjo skuadër dhe tifozët janë bashkuar. Unë kam takuar shumë njerëz që kanë ardhur tek unë dhe më kanë thënë se sa mirë u paraqitëm dhe se sa krenar është i gjithë kombi me skuadrën tonë. Ne tejkaluam shumë pengesa në atë turne”, thotë 27-vjeçari.

Pavarësisht se ekipi dështoi në fazën e fundit, Trippier kishte pasur një ndikim të madh në turne me një gol të bukur nga gjuajtja e lirë, duke shënuar golin e parë ndaj Kroacisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Ai bëri një gol të ngjashëm me Tottenhamin kundër Fulhamit në xhiron e dytë të Premierligës, një shenjë tjetër se forma e tij vazhdon të jetë e njëjtë edhe pas verës. “Ishte një përvojë e pabesueshme që të jem pjesë e skuadrës. Thjesht, tregon se çfarë mund të bësh brenda një viti sepse debutim tim e kisha vërë vetëm në vitin e kaluar ndaj Francës dhe një vit më vonë unë luajta në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Ndonjëherë dukej çmenduri. Isha në hotel dhe flisja me shokët e mi në telefon dhe ata më tregonin se çfarë çmendurie ishte në shtëpi”, thotë ai.

Edhe tani, kur ai reflekton se çfarë domethënie kishte për prindërit e tij Chris dhe Eleanor, të cilët jetojnë në Summerseat, ai bëhet emocional. “Ua kam ofruar atyre shpërnguljen, por nëna ime shkon duke ecur në punë, që është në Londis. Gjyshja ime jeton aty afër, të gjitha tezet e nënës sime. Ne e kemi të gjithë familjen tonë aty. Ajo është e lumtur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ua them atyre gjatë gjithë kohës se sa mirënjohës u jam. Ua thashë atyre pas Kupës së Botës, pasi u eliminuam ndaj Kroacisë. Ata më thanë se sa keq u vjen dhe se sa krenarë janë për mua, por ishte shansi im që t’i falënderoj që më ndihmuan të arrij këtu, duke punuar shumë, duke pasur shumë punë derisa isha i ri. Për mua dhe për vëllain tim nuk ishte e lehtë dhe unë i falënderoj gjatë gjithë kohës” shprehet Trippier.

Babai i tij, një kultivues i pemëve, duhej të punonte larg shtëpisë në Glasgow disa herë. “Ai na mungonte, por në sytë e babait gjëja më e rëndësishme ishte që ne të stërvitemi dhe të na sigurojë ushqimin në sofër. Kur isha më i ri, babai im punonte larg për pesë ditë, një javë, thjesht duke u munduar që të fitonte sa më shuma para. Ka qenë e vështirë për ata dy, sidomos me katër fëmijë, katër djem. Ata e kanë bërë veten krenarë dhe unë ua kam bërë atyre të ditur këtë gjë dhe vëllezërit e mi gjithashtu”, thotë anglezi.

Ai tani është 27-vjeçar, por i kanë dashur 10 vjet të mira për t’u bërë një sensacion brenda natës. Ai doli nga Akademia e Manchester Cityt posa aty kishin arritur paratë e majme në klub, duke ia limituar paraqitjen në ekipin e parë. Huazimet në Barnsley dhe një lëvizje drejt Burnleyt në Championship, të pasuar nga një edicion i shkëlqyer në Premierligë, ia siguroi atij kalimin te Tottenhami. Edhe aty atij i mori 18 muaj për të zëvendësuar Kyle Walkerin.

Te City ai ishte pjesë e ekipit që e fitoi FA Cup për të Rinj së bashku me Daniel Sturridgen (Liverpool), Ben Mee (Burnley), Dedryck Boyata (Celtic) dhe Vladimir Weiss (ish-lojtar i Rangersit and Espanyolit).

“Ne kishim lojtarë shumë të mirë. Është një mëkat vërtet sepse vetëm dy, Sturridge dhe Dedryck dolën nga grupi dhe luajtën me skuadrën e parë. Kishte shumë talente aty, që mund të kishin luajtur në ekipin e parë, por gjithçka ndodh për një arsye”, shprehet ai.

Eddie Howe nënshkroi me të te Burnley dhe Sean Dyche gjithashtu e stërviti para se Mauricio Pochettino ta transferojë te Tottenhami në vitin 2015.

“Duhet t’i falënderohem për shumëçka trajnerit. Më mori 16 apo 18 muaj që të siguroja rolin e mbrojtësit të djathtë. E dija se duhej të kisha durim sepse nuk është e lehtë t’ia zësh vendin Kylet. Trajneri gjithmonë vinte tek unë dhe më thoshte: ‘Shansi yt do të vijë’. Dhe unë gjithmonë besova. Shansi me të vërtetë erdhi kur Walks u largua. Trajnerët e tjerë mund të kishin blerë lojtarë të tjerë në pozicionin tim, por ai besoi tek unë”, thotë Trippier, i cili deklaron se dikur shikonte videot e David Beckhamit. “Harkimet e tij, mënyra se si i gjente njerëzit, pasimet e tij të gjatë, pasimet e tij të shkurta, aftësia e tij nga ndërprerjet, mënyra se si e lëvizte topin në gjuajtje të lira. Ai është njeriu që e kam shikuar gjithmonë, ai dhe Andrea Pirlo. Ai ishte gjithmonë idhulli im, dikush që doja të bëhesha. Nuk jam as afër nivelit të tij, por mund të mundohem që të arrij aty”, përfundoi ai.

Ndoshta Beckhami do të shkaktonte më shumë tollovi në “M&S”, por sa i përket ndërprerjeve Trippier ndoshta nuk është edhe aq larg tij sa mendon./Zëri