Transferet 'last-minute'

Sport August 22, 2018 - 10:59

Një pjesë e mirë e transfereve të afatit kalimtar veror tashmë janë kryer, por disa të tjerë pritet të ndodhin në ditët e fundit të gushtit. Madje, nuk përjashtohet mundësia që edhe disa yje të ndërrojnë mjedis deri më 31 gusht, kur do të mbyllet afati. Njihuni me 10 transferet e mundshme “last-minute”

Në Angli dhe Itali afati kalimtar i verës është mbyllur, por kjo nuk nënkupton se futbollistë nga këto liga nuk do të transferohen në ligat tjera të mëdha në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës.

Gjithashtu, transfere deri në ditën e fundit të afatit kalimtar, respektivisht më 31 gusht pritet të ndodhin edhe në ligat tjera të mëdha evropiane, shkruan sot gazeta Zëri.

Deri tash një pjesë e mirë e transfereve në Evropë janë kompletuar, por ka të tjerë që janë në proces e sipër dhe mund të ndodhin në momentet e fundit.

Prandaj, uebfaqja e njohur sportive, “Goal.com” e ka publikuar listën e transfereve të mundshme “last-minute”.

Paul Pogba në Barcelonë

Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba duket se dëshiron të ndërrojë mjedis. Marrëdhëniet e tij me trajnerin Jose Mourinho janë prishur dhe gjithnjë e më shumë spekulohet se përfaqësuesi francez mund t’i bashkohet Barcelonës në ditët e fundit të afatit kalimtar veror. Katalunasit kanë thënë se e kanë mbyllur kampanjën e përforcimeve por atyre nuk iu diht kurrë.

Miralem Pjanic në Real Madrid

Edhe pse po flitet se Miralem Pjanic do ta vazhdojë shumë shpejt kontratën me Juventusin, ky fakt nuk i largon aspak spekulimet për një largim të tij të mundshëm nga Torino. Thuhet se me transferimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi, përfaqësuesit boshnjak do t’i zvogëlohet hapësira për të luajtur në ekipin e Massimiliao Allegrit, prandaj ai po e mendon largimin. Dhe, për koiçidencë, ish-futbollisti i Romës mund të transferohet pikërisht në “Santiago Bernabeu”, prej nga erdhi “CR7”. Juve kërkon 60 milionë euro për yllin e tij. Reali po kërkon zëvendësues të Mateo Kovacicit të larguar, ndërsa Thiago Alcantara është një tjetër mundësi.

Mario Balotelli në Marseille

Pasi e ktheu karrierën e tij në Nice, Mario Balotelli e ka zgjuar prapë interesimin e klubeve. Futbollisti italian i kaloi dy sezonet e fundit në Francë dhe mund të mbetet eventualisht në këtë ligë, por në një klub tjetër. Gjiganti Olympique Marseille ia ka vënë syrin ish-futbollistit të interit, Manchester Cityt, Milanit e Liverpoolit. Gjithashtu, atë e kërkonte edhe Parma në Itali, por në Serie A tashmë është mbyllur afati kalimtar.

Jerome Boateng në PSG

Duket se vera do të jetë mjaft e gjatë për mbrojtësin e Bayern Munichut, Jerome Boateng. Manchester Unitedi ishte i pari që e kërkoi, por në Angli tashmë ka mbaruar afati kalimtar, prandaj ky opsion ra në ujë. Tash, përfaqësuesin gjerman e do Paris Saint-Germaini. Nëse trajneri i ri, Thomas Thucel vendos të luajë me tre mbrojtës në “Parc des Princes”, ai ka nevojë së paku edhe për një përforcim dhe 29 vjeçari duket një opsion i fuqishëm. Sidoqoftë, shenjat tregojnë se ai mund të mbetet në Munich.

Sergej Milinkovic-Savic në Real Madrid

Milani ishte i interesuar për Sergej Milinkovic-Savic, por dështoi ta transferonte mesfushorin serb nga Lazio. Mirëpo, kur përmendet një emër si Real Madridi, gjithçka bëhet e mundshme. “Los Blancos” ia kanë vënë syrin përfaqësuesit serb, ndërsa presidenti i “Biancocelesti”, Claudio Lotito i kërkon 120 milionë euro për kartonin e njërit prej mesfushorëve më të mirë të Evropës.

Yacine Brahimi në Monaco

Kanë kaluar gjashtë vjet kur Yacine Brahimi kishte luajtur për herë të fundit në Ligue 1, ndërsa pas kësaj periudhë ka luajtur në Granada e Porto. Mirëpo, përfaqësuesi algjerian mund të kthehet në Francë. Monaco ia ka vënë syrin 28 vjeçarit, i cili mund të transferohej në West Ham në fillim të kësaj vere, por dështoi të arrinte marrëveshje personale me klubin londinez. Monaco ka nevojë për zëvendësuesin e Keita Baldes, i cili shkoi në Inter, dhe ai është kandidati kryesor.

Geoff Cameron në Werder Bremen

Pasi ra nga liga me Stoke Cityn sezonin e fundit, 33 vjeçari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Geoff Cameron pritet të rikthehet në Bundesliga. Veterani mund t’i bashkohet Ëerder Bremenit. Ai nuk ka luajtur për “Potters” në dy ndeshjet e para të sezonit pasi ka probleme personale, por i ka zhvilluar 186 ndeshje për ta që kur iu bashkua atyre në vitin 2012, ndërsa ka realizuar disa gola në Premierligë gjatë kësaj periudhe.

Thilo Kehrer në PSG

Thilo Kehrer mund ta vazhdojë karrierën në Francë duke u larguar përfundimisht nga Schalke. Barcelona ishte e interesuar për përfaqësuesin e Gjermanisë U-21, por Paris Saint-Germaini e ka ngritur ofertën në 37 milionë euro për mbrojtësin e ri për ta sjellë në kryeqytetin francez. Klubi nga Bundesliga ka konfirmuar se marrëveshja me PSG-në për lojtarin tashmë është arritur, por që kanë mbetur të mbyllen disa formalitete.

Ademola Lookman në RB Leipzig

I lënë jashtë nga ekipi i Evertonit në sezonin hapës të tij ndaj Wolves, misioni i Ademola Lookman është të largohet nga klubi anglez. Sulmuesi 20 vjeç e ka bërë të qartë se dëshiron të transfrohet në RB Leipzig, pasi e kishte kaluar së fundmi një sezon të mirë me klubin nga Bundesliga, ku kishte shënuar 5 gola në 11 ndeshje sa ishte i huazuar. Leipzigu ka bërë ofertë që ta mbajë përfundimisht lojtarin, por Evertoni deri tash ka rezituar.

Benjamin Pavard në Bayern Munich

Me një gol spektakolar me të majtën, Benjamin Pavard e dërgoi Francën në të tetën e finales së Botërorit, për ta dërguar Argjentinën në shtëpi. Ishte goli i parë për të në ekipin senior pasi impresionoi sezonin e fundit me Stuttgartin. Bayerni i vlerëson lart kualitetet e mbrojtësit të krahut dhe thuhet se ia ka vënë syrin 22 vjeçarit, i cili në të kaluarën ka luajtur për Lillen në atdhe. /Zëri/