Jeta e re e Schumit

Sport August 17, 2018 - 14:55

Michael Schumacher do të ndërrojë vendbanim. Legjenda e Formula 1 do ta lëshojë Zvicrën, ku jeton qe disa vjet, për t’u transferuar me familjen në Spanjë, respektivisht afër Palma de Malorcas. Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 është duke e vazhduar rrugëtimin e vështirë të shërimit, ndërsa jeta e tij po mbahet në privatësi të plotë. Ai nuk është shfaqur publikisht që nga viti 2013, kur e kishte pësuar aksidentin e rëndë

Michael Schumacher do të transferohet në Mallorca, në një vilë luksoze që gruaja e ish-kampionit të Formula 1, Corinne, e ka blerë në Andratx, afro 20 minuta nga Palma de Malorca, shkruan sot gazeta Zëri.

Konfirmimi

Për ta zbuluar lajmin është përkujdesur revista zvicerane “L’Illustrè”. “Mund të konfirmoj zyrtarisht që Michael Schumacher do të vendoset në qytetin tonë dhe se gjithçka do të jetë e gatshme për ta pritur”, ka thënë për revistën qytetarja e parë e Mallorcas, Katia Rouarch.

Vila luksoze ku do të vendoset shtatë herë kampioni botëror i Formuala 1 në të kaluarën i përkiste presidentit të Real Madridit, Florentino Perez.

Sigurimet

Në Mallorca thonë se nuk e dinë datën e saktë se kur do të arrijë aty familja Schumacher. Si qytetar evropian Schumi nuk ka nevojë për leje të qëndrimit në këtë ishull, që gjendet në Spanjë dhe familja e tij mund ta mbajë rezidencën fiskale ku të dëshirojë.

Privatësia

Shërbimet e sigurisë lokale janë bërë në atë mënyrë që mund t’ia sigurojnë njërit prej sportistëve më të mëdhenj në histori privatësinë maksimale.

Informohet policia

Për arritjen e Schumacherit është informuar edhe policia e ishullit. Për momentin nuk dihet nëse qëndrimi i Schumacherit në këtë ishull do të jetë i shkurtër ose afatgjatë.

Rezidenca aktuale

Familja Schumacher jeton që nga viti 2002 në qytetin Gland, në kantonin zviceran të Vaud, ku bashkiaku Gerald Cretegny ka thënë për “L’Illustrè” se nuk është në dijeni për asgjë.

Shpenzime “monstruoze”

Vendbanimi i ri i familjes Schumacher, një vilë prej 3.000 metrash katrorë, dy pishina, një hapësirë për aterimin e helikopterit, por edhe gjëra të tjera luksoze që nuk gjenden në shtëpitë normale, thuhet se ka kushtuar 30 milionë euro.

Avantazhet

“Vendi, i rrethuar me mure të forta, ka shumë avantazhe: është i vendosur në një pjesë nga e cila del në një përroskë të vogël, gjë që e bën pronën të paarritshme për t’u parë me sy të lirë”, shpjegon revista në fjalë, e cila kujton se Michael Schumacher e ka kaluar pjesën më të madhe të pushimeve në këtë ishull dhe se vëllai i tij, Ralf, e kalon një pjesë të mirë të vitit në Andratx, ku jeton ndër të tjera.

Fshehtësi maksimale

Pas incidentit të ndodhur në alpet franceze në dhjetor të vitit 2013, e cila e la atë të paaftë, Michael Schumacher po e vazhdon rrugëtimin e vështirë për t’u shëruar dhe rimëkëmbur, ku fshehtësia është më shumë se absolute. /Zëri/