Për stadium, e presin 'aminin' e UEFA-s

Sport August 06, 2018 - 12:05

Punimet në stadiumin e qytetit në Prishtinë, i cili tash e tutje do të thirret “Fadil Vokrri”, tashmë janë në përfundim e sipër, ani pse ato kanë qenë të stërzgjatura.

Tani është koha e vlerësimeve, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, përfaqësues të UEFA-s do të zbarkojnë sot në kryeqytet për të satën herë për ta parë më nga afër punën që është bërë në këtë periudhë dhe për ta dhënë verdiktin final rreth stadiumit.

Në rast se gjithçka shkon si duhet, stadiumi i kryeqytetit do të jetë në dispozicion që nga java e ardhshme, ndërsa aty pritet t’i zhvillojë ndeshjet FC Prishtina si vendëse dhe Përfaqësuesja e Kosovës, duke nisur nga Liga e Kombeve.

Gjithashtu, edhe klubet tjera nga Kosova që do të luajnë në garat evropiane nga sezoni i ardhshëm pritet të luajnë në stadiumin  “Fadil Vokrri”.

Ademi: Stadiumi, me pamje të mrekullueshme

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në shoqëri të zëvendëssekretarit Arianit Ahmeti, gjatë fundjavës e kanë vizituar stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të pranishëm ishin edhe sekretari i Ministrisë së Sportit Veton Firzi, drejtori i Departamentit të Sportit Ibër Alaj, punëkryesi, si dhe menaxhmenti i stadiumit.

Kreu i ri i FFK-së ka mbetur i impresionuar me transformimin e stadiumit të kryeqytetit.

“Sonte vizitova stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe pashë që është bërë një punë madhështore, ku ky objekt sportiv e ka marrë një pamje të mrekullueshme. Pas licencimit nga inspektorët e UEFA-s, ky stadium do të jetë gati për ndeshjet e ekipeve tona kombëtare dhe për ndeshjet kampionale. Me rinovimin e këtij stadiumi Kosova si shtet e jep një pasqyrë të zhvillimit dhe të përmirësimit të infrastrukturës sportive, derisa kombëtarja jonë do ta ketë përkrahjen e fuqishme të tifozëve në ndeshjet e Ligës së Kombeve, të cilat të gjithë po i presim me padurim”, ka thënë Ademi gjatë vizitës në stadium.

Tutje, ai i ka falënderuar të gjithë të përfshirët në realizimin e këtij projekti tejet të rëndësishëm për futbollin e Kosovës.

“Me këtë rast edhe një herë shfrytëzoj rastin t’i përgëzoj dhe t’i falënderoj në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së gjithë ekipin që ka qenë në vazhdimësi që nga dita e parë e deri më tash në përfundim për punën dhe për përkushtimin e treguar”, ka thënë tutje presidenti Ademi. /Zëri/