Arbnor Morina bëhet me klub të ri

Sport August 01, 2018 - 13:15
ZYRTARE

FC Prishtinës i është bashkuar një njeri, emri i të cilit është mjaft i lidhur me historinë e këtij klubi, shkruan Zeri.info.

Fjala është për ish futbollistin, ish trajnerin dhe ish drejtorin gjeneral, Arbnor Morina, me të cilin klubi bardh e kaltër gjatë historisë ka festuar suksese të ndryshme.

Morina qe disa vite ka bërë karrierë nëpër klube tjera kosovare në të cilat me sukses e ka kryer punën e trajnerit.

Njëkohësisht ka qenë edhe pjesë e FC Prishtinës, por si aksionar dhe jo fizikisht.

Ndërsa, tash e tutje ai do ta ushtrojë postin e drejtorit sportiv, të cilën pozitë presidenti Remzi Ejupi ia kishte rezervuar qe një kohë Morinës, të cilin e priti goxha gjatë të kthehet në shtëpi.

Krejt kjo e ka bërë të lumtur Morinën, i cili është emocionuar me rikthimin në kampin bardh e kaltër, ngjyra që i ka në zemër qysh prej kohës kur ishte si futbollist i kësaj skuadre nëpër të cilën kalojnë shumë emra të famshëm të futbollistëve kosovarë.

“Jam kthyer në FC Prishtinë, por tani në postin e drejtorit sportiv, ndërsa në të kaluarën kam qenë futbollist, trajner dhe drejtor gjeneral. Ftesën nga presidenti Ejupi e kam pas marrë shumë më herët dhe vazhdimisht e kam pasur derën e hapur për çka e falënderoj kryetarin”, tha Morina për “Zërin”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni në numrin e nesërm të gazetës “Zëri”.