Skënderbeu, 'njolla e zezë' e futbollit shqiptar

Sport July 31, 2018 - 10:25

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) e ka përjashtuar kohë më parë Skënderbeun nga të gjitha kompeticionet evropiane për 10 vjet për shkak të manipulimeve në ndeshje, shkruan sot gazeta Zëri.

Nga viti 2010 në total 53 ndeshje të klubit korçar janë hetuar nga shtëpia e futbollit evropian, duke përfshirë këtu ndeshjet kampionale, miqësore dhe ato të nivelit evropian.

“Ky klub ka kurdisur ndeshje të futbollit si asnjë klub tjetër në histori”, ka thënë Komisioni Disiplinor i UEFA-s gjatë vendimit të marrë.

Gjithashtu, Skënderbeu është gjobitur me 1 milion euro nga totali i buxhetit të klubit prej 2,5 milionë eurosh.

Edhe pse klubi shqiptar dyshohet për kurdisje të ndeshjeve nga viti 2010, ndeshja shembull për këtë dukuri të zezë është ajo e 21 korrikut 2015.

Në atë kohë Skënderbeu po e zhvillonte ndeshjen e dytë të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj ekipit nga Irlanda e Veriut, Crusaders.

Ndeshjen e parë e kishte fituar klubi shqiptar me rezultat 4:1, ndërsa në ndeshjen e dytë Skënderbeu.

Në ndeshjen e kthimit, njofton UEFA, qindra mijëra euro janë futur në bastore që të shënoheshin së paku katër gola në ndeshjen e kthimit, të cilën e kishte fituar Crusaders 3:2, ndërsa te Skënderbeu një lojtar ishte ndëshkuar me karton të kuq.

Pas dy gabimeve serioze dhe amatore të mbrojtjes shqiptare dhe portierit, vendësit fituan. Në atë kohë, portieri i ekipit nga Irlanda e Veriut kishte shkruar në rrjetet sociale se do të ishte gabim nëse UEFA nuk hap ndonjë hetim.

Pa dyshim, rolin kryesor në këto dallavere, njofton UEFA, e ka presidenti i klubit, Ardian Takaj.

54-vjeçari e ka bërë rolin “e viktimës” gjatë ankesës në dënimet që ia dha UEFA klubit të tij.

“Nuk mendoj se UEFA do t’ia japë një dënim aq të ashpër një ekipi nga një vend i vogël, që nuk është e lehtë të zhvillohet, për shkak të dyshimeve për kurdisje”, ka thënë Takaj.

Kjo ishte një goditje e rëndë për futbollin shqiptar pasi dukej se Skënderbeu po ia zbardhte fytyrën në Evropë, pasi dominoi në tetë vjetët e fundit në futbollin nacional.

Në tri sezonet e fundit Skënderbeu ka marrë pjesë dy herë në fazën e grupeve të Europa Leagues.

Në Shqipëri ekzistojnë rreth 4 mijë bastore dhe në to luhet shumë. /Zëri/