Pensionohet njeriu i pesë Botërorëve

Sport July 23, 2018 - 11:24
Detajet

Rafael Marquez ka njoftuar pensionimin e tij nga futbolli. Mbrojtësi meksikan, që kishte marrë pjesë në pesë edicione të Kupës së Botës, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli aktiv pas 22 vjetëve karrierë, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Rafael Marquez, i cili është vetëm njëri prej tre futbollistëve që kanë luajtur në pesë edicione të Kupës së Botës, ka vendosur që të pensionohet nga futbolli aktiv. Mbrojtësi meksikan, i cili ka luajtur plot 22 edicione, ka vendosur që të njoftojë pensionimin e tij përmes rrjeteve sociale.

“Kanë qenë 22 vjet në të cilat kam ndier shumë kënaqësi, kam bërë shumë sakrifica, përpjekje, gabime, zgjedhje të mençura dhe si rezultat i këtyre kam shkaktuar pikëllim, ndonjëherë zhgënjim, por në shumë raste gëzim”, ka shkruar Maruez, i cili së fundmi ka luajtur për klubin meksikan Club Atlas.

“Dua t’i falënderoj të gjithë tifozët që kanë treguar dashuri ndaj meje gjatë këtyre viteve. Ata janë dhe do të jenë arsye e nxitjes sime që të jap gjithmonë më të mirë në çfarëdo që bëj dhe kudo që do të jem”, ka shtuar ai.

Në “Rusia 2018” Marquez u bë vetëm lojtari i tretë që luan në pesë edicione të Kupës së Botës, duke ndjekur gjurmët e portierit meksikan Antonio Carbajal dhe të gjermanit Lothar Matthaus.

Pasi që kishte bërë debutimin e tij me kombëtaren meksikane në vitin 1997 Marquez regjistroi paraqitjen e tij të parë në një Botëror në 2002-n, duke vazhduar më pas edhe në katër edicionet e tjera me radhë, ndërsa paraqitja e fundit e tij ishte kundër Brazilit në të tetën e finales ndaj Brazilit në Rusi.

“Është një ditë shumë e veçantë për mua pas humbjes së babait dhe e di se sa e vështirë për mua ka qenë që të arrij në këtë pikë”, kishte thënë 39-vjeçari pasi kishte hyrë si rezervist në fitoren ndaj Gjermanisë në fazën e grupeve të Botërorit të këtij viti. “Sidoqoftë, e kam bërë me kokën lart dhe kam dhënë kontributin tim të vogël në suksesin e madh të kësaj skuadre”, ishte shprehur ai.

Një lider në fushë, Marquez mbajti shiritin e kapitenit për Meksikën në të katër edicionet e Kupës së Botës dhe e arriti fazën nokaut në të gjitha prej tyre. Mbrojtësi gjithashtu kishte përjetuar një triumf kur skuadra e tij kishte fituar në Kupën e Konfederatave në vitin 1999.

Ai ishte i suksesshëm edhe në karrierën për klube. Marquez ka fituar katër tituj të La Ligas, dy Liga të Kampionëve dhe një Kupë të Botës për Klube me Barcelonën, ndërsa gjithashtu numëron edhe suksese në Francë me Monacon dhe në Meksikë me Leonin./Zëri