Kapiten Dallku: Jemi të zhgënjyer, por shikojmë përpara!

Sport July 20, 2018 - 11:19

FC Prishtina u eliminua mbrëmë nga Europa League pasi humbi në penallti nga CS Fola Esch në rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues, shkruan Zeri.info.

Bardhekaltrit janë të dëshpëruar tej mase pasi ishin shumë pranë kualifikimit historik në rrethin e dytë kualifikues të këtij evenimenti.

Mirëpo, ata thonë se po dalin me kokën lartë nga ky kompeticion, ku morën pjesë për herë të dytë rresht.

Prishtinasit zotohen se do të punojnë shumë në mënyrë që vitin tjetër të jenë më të fuqishëm në pjesëmarrjen e tyre në garat evropiane.

“Jemi shumë, shumë të zhgënjyer. Mendoj që e kemi bërë një paraqitje mjaft të mirë, sepse ashtu siç ishim marrë vesh, kemi luajtur shumë mirë në “bllok”. Sidomos 90-minuta kur kundërshtarit nuk i kemi dhënë asnjë rast. Normalisht, në vazhdime kundërshtari kishte pak një iniciativë të vogël mund të them, mirëpo ne kishim mundësi që ta godisnim kundërshtarin gjatë kohës së rregullt dhe mos ta shtynim deri në penallti. Penalltitë janë lotari, por pavarësisht kësaj ne kishim mundësi dhe falë portierit tonë Bekaj na u dha rasti”, ka thënë pas lojës kapiteni Armend Dallku.

“Unë mendoj që edhe në penallti duhet të jemi më shumë të koncentruar pavarësisht se edhe këta lojtarë që i gjuajtën penalltitë janë lojtarë të rinj dhe normalisht që mund të ketë luajtur rol presioni e shumë gjëra tjera. Përkundër të gjitha këtyre, ne duhet të jemi kokëlartë e të vazhdojmë tutje, sepse ky do të jetë një mësim për ne që në të ardhmen të jemi më këmbëngulës, sepse këtë ekip duhet ta kalonim, sepse diferencat nuk ishin të mëdha, ishim aty të barabartë, mirëpo siç e thash, ne është dashur që gjatë 90 minutave ta mbyllnim ndeshjen”, vazhdoi qendërmbrojtësi kosovar. /Zëri/