Kante i shkurtër, i turpshëm, por i domosdoshëm për Chelsean

Sport July 19, 2018 - 12:13
Detajet

N’Golo Kante ishte njëri prej heronjve të Francës në triumfin e Kupës së Botës. Mesfushori është paksa i turpshëm dhe nuk dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes, por kështu preferon ai. Eden Hazard dhe Thibaut Courtois mund të largohen nga Chelsea këtë vit. Sidoqoftë, humbja e Kantes do të ishte një goditje më e madhe për Maurizio Sarrin, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Tre lojtarë janë përfshirë në mendjet e të gjithëve për formacionin më të mirë të Kupës së Botës. Luka Modric dhe Kylian Mbappe me të drejtë kanë zënë ballinat e gazetave dhe kanë fituar çmime, por ka pasur një vëmendje më të pakët për yllin e tretë të Botërorit dhe kjo ka ndodhur ashtu siç edhe i pëlqen futbollistit të Chelseat, N’Golo Kante.

Në tre edicionet e fundit Kante është votuar dy herë si “Lojtari i Vitit” në Angli, ka fituar Premierligën dy herë, një FA Cup dhe tani një Kupë të Botës. Derisa trajneri i ri i Chelseat Maurizio Sarri ka shqetësime për të ardhmen e Eden Hazardit dhe të Thibaut Courtois, ai mund ta shohë Kanten si një lojtar të pazëvendësueshëm.

Në rolin e mesfushorit mbrojtës në botë francezi është më i miri. Ndoshta ai mund të jetë edhe më impresionues me topin sesa njeriu që e shpiku këtë rol, Claude Makelele. Dhe gjëja më jashtëzakonshme nga të gjitha është indiferenca e Kantes për të qenë në qendër të vëmendjes. Një luftëtar që punon sa tre lojtarë në fushë, ai është modest dhe i turpshëm për këtë gjë. Derisa Paul Pogba, Benjamin Mendy dhe të tjerët vallëzonin dhe filmonin pas triumfit ndaj Kroacisë dhe gjithashtu festonin me presidentin Emanuel Macron në dhomat e zhveshjes, Kante qëndronte aty si të ishte një e diel normale. Një raportim bëri xhiron e botës më vonë kur Steven Nzonzi ia dorëzoi trofeun Kantes, sepse ai ishte shumë i turpshëm për ta kërkuar atë.

Kur ish-drejtoi sportiv i Chelseat Michael Emenalo mbajti një fjalim pas shpalljes së Kantes si “Futbollisti i Vitit” në Angli në 2017-n, ai e përshkroi mesfushorin si një lojtar dhe person të mrekullueshëm. Bashkëlojtari Hazard e përshkroi më së miri aftësinë e lojtarit për të dominuar në mesfushë. “Ndonjëherë mendoj se jam duke luajtur me binjakë. E shoh atë në të majtë dhe pastaj në të djathtë”, kishte deklaruar Hazard.

Real Madridi besohet se është shumë e interesuar për Courtosin dhe Hazardin. Por, humbja e Kantes do të ishte një humbje e dyfishtë falë lojës së tij dhe kontributit të madh në fushë. Chelsea do të jetë e lehtësuar kur djaloshi nga zona perëndimore e Parisit, i cili është i turpshëm në deklarata, por i madh në fushë, të sigurojë qëndrimin në klub. Partneriteti i tij në mesfushë me nënshkrimin e parë të Sarrit, Jorinho do të jetë i rëndësishëm për vijueshmërinë e klubit londinez në edicionin e ardhshëm, pavarësisht nëse emrat e mëdhenj të ekipit qëndrojnë ose largohen./Zëri