Sport

Kosova, pulsi i zemrës së Shkëndijës (FOTO&VIDEO)

Kosova, pulsi i zemrës së Shkëndijës (FOTO&VIDEO)
11 korrik 2018 • 15 : 04 Foto: Laura Hasani
Valon Konushevci

Shkëndija po vazhdon t’i arsyetojë investimet e mëdha që po i bëhen që nga viti 2013 nga gjiganti i përmasave ndërkombëtare i quajtur ‘Ecolog’ që është nën pronësi të Lazim Destanit, raporton "Zëri".

Biznesmenit të mirënjohur shqiptar nga Maqedonia i kanë mjaftuar vetëm pesë vjet për ta menaxhuar klubin shqiptar nga Tetova në mënyrë që ta ngrit atë në majat e futbollit maqedonas por edhe në një nivel evropian. "Zëri" shkruan se brenda pak vitesh familja Destani ka arritur që ta bëjë Shkëndijën një “banore” rezidente në gara evropiane ku tashmë është bërë mjaftë e njohur përmes paraqitjeve dinjitoze dhe rezultateve mjaft të mira.

Image

Ndërsa, së fundmi kuqezinjtë arritën të fitojnë në Maqedoni edhe në garën për titull të kampionit dhe Kupë, duke ia marrë primatin gjigantit maqedonas, Vardarit.

Image

Përmes këtyre trofeve Shkëndija të martën e nisi një sezon të ri në garat evropiane. Pas eksperiencës së shkëlqyeshme në kualifikimet për Ligën e Evropës në edicionin e kaluar, kur u eliminua vetëm nga gjiganti italian e evropian, Milani, Shkëndija të martën garat e sivjetme i nisi në një nivel akoma më të lartë – në kualifikimet për Ligën e Kampionëve. Dhe, gjithçka e filloi për mrekulli.

E shfrytëzoi stadiumin nacional të Maqedonisë në Shkup për ta mposhtur 5:0 kampionin e Uellsit, The New Saints (TNS) – në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues për Champions.

Me këtë fitore të thellë Shkëndija thuajse e siguroi kualifikimin në raundin e dytë sepse vetëm ndonjë mrekulli mund ta shpëtojë The New Saints në ndeshjen kthyese.

Kësaj paraqitjeje fantastike të Shkëndijës natyrisht se i gëzohej në tribunën VIP Lazim Destani, i cili ngrihej në këmbë sa herë që shënonte Besar Ibraimi, i cili i shënoi katër gola. Bashkë me Destanin festonin edhe tifozët shqiptarë nga Tetova dhe më gjerë.

Image

Kjo për shkak se Shkëndija tashmë është bërë më shumë sesa një klub për shqiptarët e Maqedonisë. Po e luan rolin e një përfaqësueseje të tyre. Duke i kënaqur shqiptarët e Maqedonisë, Shkëndija tashmë është bërë një skuadër e dashur edhe për bashkëkombësit në Kosovë, prej nga tashmë po merr përkrahje mjaft të madhe.

Trajneri i mrekullisë tetovare, Qatip Osmani, pas fitores së madhe prej 5:0 ndaj kampionit uellsian tha se tifozët nga Kosova i japin motiv shtesë skuadrës së tij. Madje, ai theksoi se Shkëndija planifikon që sa më shpejt të zbarkojë në Kosovë për ta zhvilluar një miqësore me FC Prishtinën dhe në këtë formë t’i falënderojë kosovarët për përkrahjen e vazhdueshme. Siç dihet, Shkëndija dhe FC Prishtina kanë raport të shkëlqyeshëm të ndërtuar mbi raportin vëllazërorë të dy prijësve të tyre, Lazim Destanit dhe Remzi Ejupit.

“Gëzohemi shumë që kemi mysafirë edhe prej Kosovës. Ne presim që në të ardhmen Shkëndija të bëhet edhe më e madhe dhe më e mirë me suksese ndërkombëtare. Ne e kishim në plan që në muajin e gjashtë ta luajmë një lojë në Kosovë me Prishtinën. Por, orari i ndeshjeve evropiane nuk na lejojë”, tha Osmani, i cili iu gëzua prezencës së “Zërit” të Kosovës në ndeshjen e Shkëndijës ndaj kampionit uellsian.

Edhe ylli i madh i Shkëndijës, Besart Ibraimi tha se tifozët kosovar i japin plus shtesë ekipit kuq e zi në krejt këtë avancim. “Jemi shumë të kënaqur që kemi tifozë edhe në Kosovë. Çdo gjashtë muaj i bëjmë testet mjekësore në Kosovë dhe e kemi vërejtur simpatinë që e kemi një tifozeri shumë të mirë atje e cila na përkrahë shumë”, tha Ibraimi.

Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image

 

 

 

© zëri.info