Haradinaj: Tronditës lajmi për vdekjen tragjike të basketbollistit Gazmend Sinani

Sport June 23, 2018 - 11:14

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas vdekjes tragjike të basketbollistit të Kosovës, Gazmend Sinani, u ka shprehur ngushëllime familjes Sinani, miqve dhe FBK-së, kurse të lënduarve Granitit, Fisnikut, Altinit dhe Kujtimit shërim të shpejtë.

“Tronditës lajmi për vdekjen tragjike të basketbollistit të përfaqësueses sonë, Gazmend Sinani, i cili po festonte ditëlindjen. Familjes Sinani, miqve dhe FBK-së ngushëllimet më të sinqerta, kurse të lënduarve Granitit, Fisnikut, Altinit dhe Kujtimit u dëshiroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sinani ka humbur jetën në një aksident trafiku në Gjakovë.

Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar.

Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.

Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.

Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.

Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.