FFK sqarohet për “dhëndërin”, logon dhe tregon kur mund ta ndryshojë atë

Sport June 18, 2018 - 19:19
Detajet

Logo e re e Federatës së Futbollit të Kosovës tashmë është inkorporuar edhe në ueb faqen zyrtare të kësaj federate, dhe në komunikimet zyrtare të këtij institucioni.

Dizajni që është publikuar të shtunën, bashkë me sponsorin e ri teknik dhe që atëherë ka zgjuar reagime të shumta, që nga kundërshtimet e tifozëve, deri tek një peticion online për tërheqjen e kësaj logoje nga qarkullimi, madje është paralajmëruar edhe një protestë.

Mirëpo, me publikimin e logos, përveç reagimeve ka shpërthyer edhe një skandal i madh. Fituesi i konkursit është dhëndëri i Drejtoreshës së FFK-së për marketing.Diturie Hoxha, drejtoresha e marketingut e pranon se dhëndëri i saj është fitues, por pohon për Insportin se “nuk e ka ditur se që është fjala për të meqë punimet në konkurs janë dorëzuar në zarfe dhe kanë qenë me shifra”.

Hoxha, e cila edhe më herët ka qenë e përfshirë në skandale financiare me FFK, gjegjësisht me një kontratë të dyshimtë për shitjen e biletave në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë nuk mendon se ka pasur çfarëdo parregullsie në konkurs.

LEXO EDHE: Protestë kundër logos së re të FFK-së

Insporti ka kontaktuar edhe anëtare të komisionit që ka vlerësuar logot, të cilët pohojnë se puna e komisionit ka qenë e rregullt dhe se i janë dërguar 3-4 opsione Komitetit Ekzekutiv për miratim, kurse komiteti ka zgjedhur logon fituese.

Dizajnerja e vetme që ka qenë pjesë e komisionit Erodita Klaiqi Kasumi ka thënë se “as ne nuk kemi pasur qejf që të qëllojë fituesi i afërt me Diturinë (drejtoreshën Diturie Hoxha), mirëpo, s’kemi çka të bëjmë. Jam e sigurt që logoja do të na përfaqësojë shumë mirë”, pohoi ajo dhe mohoi zërat se ka punuar në një nga kompanitë ku Diturie Hoxha më herët ka mbajtur post të lartë.

Paralajmërohen edhe padi ndaj FFK-së

Insporti ka kontaktuar edhe një prej dizajnerëve që ka konkurruar me punimin e tij për logo të FFK-së, i cili pohon se atij në fakt i është vjedhur logoja dhe ideja fillestare dhe më pas ajo është “përpunuar” nga fituesi Sali Musliu, dhëndëri i Diturie Hoxhës.

“E kam ndër mend që të bëjë padi për shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale. Kam dëshmi të njerëzve të përfshirë që konkursi ka qenë i parregullt dhe se logoja ime është kopjuar dhe “përpunuar”, ashtu që të mund të fitojë dikush tjetër”, pohon për Insportin Mumin Nexhipi.

Nexhipi, një prej dizajnerëve të shquar në vend pohoi se “nëse shikohen kriteret e konkursit, shumica absolute e punimeve nuk i përmbushin kërkesat bazë edhe është dashur të hedhen poshtë. FFK meriton një logo serioze, që mundtë përdoret për të shprehur identitetin e saj korporativ”.

“Do të tentoj që të flas miqësisht me njerëzit në FFK dhe të shoh a ka mundësi që konkursi të anulohet. Mirëpo, nëse kjo nuk ndodhë, atëherë padia më mbetet opsioni i vetëm”, pohon ai.

LEXO EDHE: Ky është personi që e punoi logon e re të FFK-së, e cila nuk u prit aspak mirë nga publiku

Konkursi nuk anulohet, logoja qëndron së paku dy vjet

Në anën tjetër Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, deklaroi për Insportin se “ka qenë një ide e jona që të përfshijmë sa më shumë njerëz në procesin e përzgjedhjes së logos, t’u mundësojmë edhe artistëve, edhe njerëzve të sportit të konkurrojnë dhe të shprehin mendimin e tyre sepse fjala është për një logo me të cilën do të identifikohen ekipet e shtetit.

Kanë ardhë më shumë se 160 punime në konkurs, kemi mbledhur një komision dhe ua kemi lënë duart e lira. Ka qenë disponim i joni se logot me helmeta, plisa e elemente folklorike i takojnë të së kaluarës dhe po kërkojmë diçka të re, diçka moderne. E kemi zgjedhur këtë që edh e fitoi në fund”.

Duke shpjeguar domethënien e logos, Salihu sqaroi  për Insportin se “katrori në mes të logos, gjegjësisht të topit të futbollit, paraqet hartën e Kosovës, katrorët përreth paraqesin fushat e dëmtuara dhe livadhet ku kemi luajtur në vitet e 90-ta, për të ardhur deri tek yjet, ku jemi aktualisht si anëtarë te FIFA-s dhe numri i yjeve kuptohet që korrespondon me yjet që i kemi në flamurin shtetëror. Komiteti Ekzekutiv ka qenë i kënaqur me shpjegimin që është dhënë dhe e ka votuar këtë logo”.

Mirëpo, Salihu i vetëdijshëm për presionin dhe reagimet e opinionit, pohoi se logoja mund të ndryshojë vetëm pas dy vjetëve. Ai për Insporti sqaroi se ka procedurë në këtë punë.

“Ne kemi pasur afate fikse për të lajmëruar UEFA-n dhe për të dërguar logon, sipas rregullave që UEFA i kërkon. Madje, ne e kemi shkelur afatin dhe kemi kërkuar afat shtesë nge UEFA. Në momentin që e kemi dorëzuar logon dhe na është miratuar nga UEFA, kjo logo nuk mund të ndryshohet për këtë dy vjeçar. Mirëpo, nëse ka dëshirë të opinionit, kur të kalojnë dy vjet, në afatin e parë ligjorë që na jepet mundësia, do ta ndryshojmë logon duke shpallur konkurs të ri”, pohoi Salihu për Insportin.