Kupa e ngushëllimit

Sport May 26, 2018 - 13:47
Vëllaznimi dhe Prishtina do të mundohen ta fitojnë trofeun e Kupës së Kosovës, i cili do t’ua kthente sadopak buzëqeshjen

Vëllaznimi dhe Prishtina do ta kërkojnë ngushëllimin në Kupën e Kosovës, në përballjen në mes tyre të dielën në finale. Bardhekaltrit nuk ia dolën të shpalleshin kampionë në xhiron e fundit, kurse gjakovarët ranë nga Superliga pas barazhit, prandaj ky trofe do t’ia kthente sadopak buzëqeshjen ekipit fitues të këtij kompeticioni. Kryeqytetasit janë në kërkim të trofeut të gjashtë, të katërtin pas luftës, kurse Kuqezinjtë e synojnë të dytin. Gjithsesi, kjo ndeshje do të kishte peshë më të madhe nëse do të luhej për shkuarje në Europa League, ku prishtinasit shkojnë edhe pa Kupë përmes vendit të dytë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vëllaznimi dhe Prishtina do ta kërkojnë trofeun e çmueshëm të Kupës së Kosovës në duelin në mes tyre, i cili do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Gjakovarët dhe prishtinasit do ta kërkojnë ngushëllimin përmes këtij trofeu, pasi dështuan t’i arrinin objektivat në xhiron e fundit të kampionatit.

Kryeqytetasit barazuan me Dritën, rezultat ky i pamjaftueshëm për ta fituar titullin e kampionit dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Kurse Kuqezinjtë u mposhtën nga Ferizaj në ndeshjen e barazhit dhe me këtë rast ranë nga Superliga, që nënkupton se sezonin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Parë.

Megjithatë, të dyja ekipet do ta japin maksimumin nga vetja për ta kthyer sadopak buzëqeshjen dhe për ta mbyllur sezonin me këtë trofe të çmueshëm.

Portieri Visar Bekaj ishte njëri prej lojtarëve kryesorë të Prishtinës gjatë këtij sezoni. Ai beson se prishtinasit do ta fitojnë Kupën të dielën pavarësisht mungesave të rëndësishme, mbi të gjitha të Armend Dallkut dhe Debatik Currit.

“Po, besoj se jemi përgatitur mjaft mirë dhe besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv të dielën”, deklaroi Bekaj për Zërin.

Ai foli edhe për mungesat e prishtinasve, duke qenë i bindur se prishtinasit kanë fond të mjaftueshëm për t’i zëvendësuar ato.

“Normalisht se do të ndikojnë sadopak mungesat. Por, ne e kemi një numër të mjaftueshëm të lojtarëve cilësorë dhe nuk besoj se do të vërehen mungesat”, shtoi portieri i ri dhe cilësor.

Në taborin kuqezi mbretëron një zhgënjim i madh pas rënies nga Superliga. Vëllaznimi ishte i fokusuar te mbijetesa, të cilën megjithatë nuk e arriti pasi u mposht nga Ferizaj përmes penalltive.

Pas kësaj trajneri Gani Sejdiu dha dorëheqje nga detyra të cilën e kishte marrë shumë vonë, kur gjakovarëve u kishte humbur shpresa për t’i ikur barazhit. Kjo ka bërë që askush në Gjakovë të mos flasë për finalen e Mitrovicës.

Prishtina e do të gjashtën, Vëllaznimi të dytën

Prishtina do ta kërkojë trofeun e gjashtë të Kupës së Kosovës, respektivisht të katërtin në futbollin e pasluftës.

Ky ekip pas mëvetësimit të futbollit kosovar kishte triumfuar në sezonet 1993/’94 e 1994/’95, kurse pas luftës e ka fituar Kupën në sezonet 2005/’06, 2012/’13 e 2015/’16. Nga ana tjetër, gjakovarët do ta kërkojnë trofeun e dytë të Kupës, pasi e kishin fituar atë një herë në vitin 2008, pra para 10 vjetësh, shkruan më tutje "Zëri".

Hera e fundit kur këto dy ekipe ishin takuar në një finale të Kupës ishte viti i largët 1994, pra para 24 vjetësh, kur fitues dilnin Bardhekaltrit, pasi kishin fituar 2:1.

Sigurisht, po ta kishte marrë Vëllaznimi licencën për të luajtur në Evropë kjo ndeshje do të kishte peshë më të madhe, pasi të dyja skuadrat do ta synonin fitoren për të luajtur në Europa League si fitues të Kupës.

Duhet cekur se para ndeshjes Vëllaznimi – Prishtina, që do të nisë në orën 16:00, në stadiumin “Adem Jashari” do të zhvillohet finalja e Kupës në konkurrencën e femrave ndërmjet Mitrovicës dhe Hajvalisë, e cila fillon në orën 12:00. /ZËRI/