Ndahen 'hiset' në Premierligë

Sport May 22, 2018 - 14:32
Detajet

Manchester City ka përfituar rreth 150 milionë funte pas triumfit të tyre në Premierligë këtë edicion. Sidoqoftë, rivali lokal Manchester United përftoi më shumë se klubi nga “Etihad” pavarësisht se përfundoi në pozitën e dytë. Pas përfundimit të ligës angleze në javën e kaluar klubeve u është shpërndarë një shifër prej 2.4 miliardë funtesh, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Titulli i fituar këtë edicion në Premierligë ia siguroi plot 149.438.654 funte ekipit të Pep Guardiolas. Pjesa më e madhe e parave të përfituara vjen nga marrëveshjet e majme për të drejtat televizive, por gjithashtu përfshin edhe të ardhurat komerciale. Por, forma se si është bërë shpërndarja e parave bën që rivali lokal i klubit nga “Etihad”, Manchester United, të jetë klubi me më së shumti përfitime financiare nga edicioni 2017/2018 në Premierligë. “Djajtë e kuq” arkëtuan 149.767.145 funte. Manchester Unitedi përfitoi më shumë për shkak se kishin dy ndeshje më shumë drejtpërdrejt në televizion (28) në Mbretërinë e Bashkuar sesa City (26). Pra, Manchester City ishte ekipi i dytë me më së shumti para të fituara, i ndjekur nga Liverpooli, që përfitoi 145.904.609 funte dhe Tottenhami 144.446.238 funte.

“Të kuqtë” arkëtuan më shumë para sesa Totenhami edhe pse përfunduan në pozitën e katërt në tabelë, sepse patën më shumë ndeshje të transmetuara drejtpërdrejt në televizion në Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë ndeshje televizive do të thotë më shumë para në sistemin e shpërndarjes së parave.

Chelsea me 141.7 milionë funte dhe Arsenali me 142 milionë sosh ishin të vetmet nga klubet e tjera që fituan më shumë sesa 140 milionë funte. Klubi me më së paku të ardhura ishte ekipi i fundit në tabelë West Bromwich, që përfitoi “vetëm” 94.7 milionë funte.

20 klubet e Premierligës ndanë mes vete një shifër të pabesueshme prej 2.4 miliardë funtesh mes tyre këtë edicion. Duke marrë parasysh përfitimet njëvjeçare, shifra tejkalon shumën prej 3 miliardë funtesh, ku pjesa më e madhe e tyre përfshin të drejtat televizive si në shtëpi, ashtu edhe jashtë.

Manchester City arkëtoi 38.625.360 funte për shkak të vendit të parë në tabelë, 30.390.736 funte në bazë të 26 ndeshje të drejtpërdrejta të transmetuara në televizion në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa të tjerat nga të drejtat televizive vendore, të drejtat televizive jashtë vendit dhe të ardhurat komerciale nga sponsorët e ligës.

“Sky Sports” dhe “BT Sport” kanë paguar 5.136 miliardë funte për t’i transmetuar ndeshjet e Premierligës ekskluzivisht për vitet 2016-2019. Televizionet e huaja po paguajnë më shumë sesa 3 miliardë funte së bashku për të njëjtën periudhë.

Për edicionin 2017/2018 çdo klub merr një shumë të barabartë prej 80.4 milionë funtesh nga të ardhurat e televizioneve vendase, atyre të huaja dhe të ardhurat komerciale. Më pas çdo klub merr një shumë të bazuar nga pozicioni i tyre në ligë me vlerë prej 1.931.268 funtesh për vend. Kjo shumë është më e paktë sesa në vitin e kaluar për arsye ende jo të qarta, edhe pse Premierliga ka paguar më shumë para për klubet e rëna nga liga këtë vit sesa para 12 muajve./Zëri

Image