Dallku: Mund ta mposhtim Dritën me dy gola epërsi

Sport May 17, 2018 - 15:15

FC Prishtina mezi po e pret ndeshjen e së dielës me Dritën, e cila do të zhvillohet në Pejë dhe e cila do ta përcaktojë kampionin e ri të Kosovës në futboll, raporton "Zëri".

FC Prishtinës i duhet një fitore me dy gola epërsi për ta kthyer titullin në kryeqytet, mision i vështirë, por jo i pamundur. Kapiteni Armend Dallku thotë se bashkë me shokët e tij janë motivuar për ta arritur këtë.

“Të them të drejtën është hera e parë edhe për mua që ndeshja e fundit vendos për titull, është diçka speciale edhe për mua, e posaçërisht edhe për klubin e Prishtinës dhe të gjithë sportdashësit prishtinas. Por, siç thash, ne jemi duke e përgatitur mjaft mirë këtë ndeshje dhe shpresoj që në fund të shpallemi kampion”, ka deklaruar Dallku, transmeton "Zëri".

“Prishtina duhet t’i shënoj dy gola më shumë dhe të shpallët kampion (qesh). Normalisht, iu thash që s’jemi duke u përgatitur veçmas special diçka për ndeshje, por normalisht që disa detaje do t’i marrim nga trajnerët, si formacioni apo kush do të startoj. Është ndeshja e vitit, si për ne, po ashtu edhe për kundërshtarin. Shpresoj të dhurojmë spektakël dy ekipet dhe ne të shpallemi kampion. Ne kemi disavantazh prej dy golave, por kjo në futboll nuk do të thotë asnjë gjë, sepse kemi të bëjmë me lojën e futbollit dhe futbolli është i paparashikueshëm dhe gjithçka mund të ndodh dhe gjithçka është në duart tona”, ka theksuar ai.

“Jorastësisht Drita ka shënuar shumë gola dhe faza ofensive është pika më e fortë e kundërshtarit, mirëpo në anën tjetër ka të bëjë me një fazë tonën defensive që edhe ne e kemi pikën më të fortë ku jorastësisht kemi pranuar më së pakti gola në kampionat. Kështu që do të kemi një ballafaqim në mes sulmit tyre dhe mbrojtjes tonë, mirëpo ne nuk jemi keq as në fazën ofensive, sepse kemi lojtarë që dinë të shënojnë edhe e mira për këtë ndeshje është se të gjithë e dinë rëndësinë e ndeshjes dhe nuk ka nevojë të flitet shumë, sepse çdo lojtar do ta ketë motivin qindpërqindtë për këtë ndeshje”, është shprehur Dallku.