Finalja e madhe

Sport May 12, 2018 - 13:50

Sezonit 2017/18 në basketbollin kosovar po i vjen fundi. Këtë fundjavë do të fillojë seria finale e “Play-Off”-it të Superligës, ku do të përballen dy skuadrat absolutisht më të mira të pjesës së rregullt të sezonit, por edhe të gjysmëfinales së “Play-Off”-it, Sigal Prishtina dhe Bashkimi.

Bardhekaltrit e eliminuan në finale Golden Eagle Yllin, kurse Bashkimi ishte më i mirë se Rahoveci. Meqenëse të dy finalistët fituan 3-0 në serinë finale, atyre u është dhënë pushim një javë nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), e cila e kishte lënë një hapësirë me mundësinë që seria gjysmëfinale të shkonte deri në pesë lojë.

Sidoqoftë, sonte është nata e madhe e basketbollit kosovar, pasi nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë do të luajnë Bardhekaltrit ndaj ekipit Portokalli.

Njohësit e basketbollit ditë më parë i kanë thënë “Zërit” se këtë radhë nuk ka favorit, pasi gjasat për t’u shpallur kampionë të dyja skuadrat i kanë 50 me 50 për qind. Andaj, priten ndeshje mjaft interesante dhe të nivelizuara.

Prishtinasit mund të llogarisin në armën e tyre të fortë – lojtarët vendorë, kurse prizrenasit do të përqendrohen te lojtarët e huaj, që e bartin barrën kryesore gjatë këtij sezoni.

Sigal Prishtina, pasi e fitoi Kupën e Kosovës, synon ta kompletojë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Nga ana tjetër, Bashkimi dëshiron t’i japë fund pritjes së gjatë dhe më në fund ta dërgojë titullin e kampionit në Prizren, të parin pas luftës.

Në bazë të rregullave të FBK-së, ekipi që i regjistron tri fitore shpallet kampion i Kosovës për sivjet. Kampion aktual është Sigal Prishtina.

 

Superliga – Finalja e “Play-Off”-it

E shtunë

19:00 Sigal Prishtina – Bashkimi

 

Kampionët e pasluftës në Kosovë

1999/2000 Trepça

 2000/2001 Trepça

 2001/2002 Prishtina

 2002/2003 Prishtina

 2003/2004 Dukagjini

 2004/2005 Mabetex

 2005/2006 Prishtina

 2006/2007 Prishtina

 2007/2008 Prishtina

 2008/2009 Prishtina

 2009/2010 Prishtina

 2010/2011 Prishtina

 2011/2012 Trepça

 2012/13  Peja

 2013/14 Prishtina

 2014/15 Prishtina

 2015/16 Prishtina

 2016/17 Prishtina

 2017/18 ?