Liverpooli fiton me spektakël golash

Sport April 24, 2018 - 22:41
Lexo detajet

Liverpooli ka shënuar një fitore të rëndësishme prej 5:2 në ndeshjen e parë ndaj Romës në “Anfield”, duke iu afruar kështu finales së Ligës së Kampionëve, shkruan "Zëri.info".

Klubi anglez e dominoi në tërësi pjesën e parë të takimit, duke mos i lënë asnjë hapësirë skuadres mysafire, që rrezikun e vetëm e pati përmes një goditje të Aleksander Kolarov, i cili goditi shtyllën në minutën e 19-të.

Menjëherë pas këtij rasti ekipi i Jurgen Kloppit filloi spektaklin e golave. Ishte sulmuesi në top formë Mohamed Salah ai i cili realizoi dy gola në minutat 36’ dhe 45’, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2:0.

Dominimi i anglezëve vazhdoi edhe në pjesën e dytë dhe kësaj radhe i gjetën golat përmes Sadio Manes (56’) dhe Roberto Firminos (62’, 69’). Por spektatkli i ndeshjes nuk përfundoi me kaq, shkruan tutje "Zëri.info". 

Roma nuk u dorëzua dhe realizoi dy gola në momentet e fundit të takimit. Golin e parë për italianët e shënoi Edin Dzeko në minutën e 81-të, ndërsa të dytin Diego Perotti nga penaltia në minutën e 85-të.

Kapitali prej tre golash padyshim që ia lehtëson rrugën drejt finales Liverpoolit./Zëri/