E presin 'aminin' e UEFA-s, shpresat te qershori

Sport April 05, 2018 - 11:52
Stadiumi i qytetit në Prishtinë të mërkurën i priti dy mysafirë. Zyrtarët e UEFA-s, Joachim Brachert e Marshall Nicolaus, i kanë inspektuar punimet që po bëhen në këtë stadium, ndërsa në ditët në vazhdim do ta japin mendimin dhe rekomandimet e tyre. Ministri i Sportit Kujtim Gashi, i cili i ka shoqëruar mysafirët, është shprehur i kënaqur me punimet dhe beson se stadiumi do të jetë i gatshëm për shfrytëzim që nga muaji qershor. Krerët e FFK-së shpresojnë që Përfaqësuesja e Kosovës ta zhvillojë miqësoren e qershorit pikërisht në këtë stadium

Duket se pritjes së stërzgjatur po i vjen fundi. Stadiumi i qytetit në Prishtinë mund të jetë i gatshëm për shfrytëzim gjatë muajit qershor të këtij viti, shkruan sot gazeta Zëri.

Punimet në këtë stadium të mërkurën i kanë inspektuar dy zyrtarë të UEFA-s, Joachim Brachert e Marshall Nicolaus, të cilët në ditët në vazhdim do ta japin mendimin dhe rekomandimet e tyre nëse është e nevojshme të intervenohet eventualisht në të.

Dy inspektorët e UEFA-s të mërkurën vetëm kanë vëzhguar, pa e thënë asnjë fjalë të vetme për mediet e ndërkohë kanë qenë të shoqëruar nga ministri i Sportit, Kujtim Gashi, pastaj drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës të udhëhequr nga kryetari Fadil Vokrri, por edhe drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, Ibër Alaj.

Gashi: Stadiumi mund të jetë gati në qershor

Ministri i Sportit Kujtim Gashi është ndarë i kënaqur me atë që e ka parë në stadiumin e kryeqytetit.

Ai beson se stadiumi do të jetë i gatshëm në muajin qershor, në bazë të marrëveshjes me kontraktorët.

“Sot është njëra prej ditëve më të rëndësishme, ajo e vizitës së stadiumit të Prishtinës. Ka qenë një përkushtim imi që nga dita e parë e marrjes së udhëheqjes së Ministrisë për ta finalizuar këtë projekt, natyrisht sipas kërkesës së standardeve të UEFA-s. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe me kryetarin Vokrri në mënyrë që ta arrijmë përmbylljen e këtij projekti”, deklaroi fillimisht Gashi.

“Është një projekt që është financuar nga Ministria e Sportit, veçanërisht te faza e fundit dhe po e shihni që është bërë një punë e mrekullueshme për t’u kthyer ky stadium në kategorinë e katërt. MKRS-ja dhe unë si ministër do të vazhdojmë ta monitorojmë punën që po bëhet nga operatori në këtë stadium. Deri në këto momente besoj se gjithçka është duke shkuar mbarë e mirë. Po e shihni që i kemi mysafirë edhe inspektorët nga UEFA dhe besoj se do ta kemi vlerësimin edhe nga ana e tyre në mënyrë që stadiumin ta kemi të përfunduar, ashtu siç kemi thënë në qershor të këtij viti”, vazhdoi ai.

Gashi është i bindur se çdo detaj që është paraparë në kontratë me kompaninë kontraktore do të jetë i përfunduar me kohë, pasi MKRS-ja ia ka besuar këtë punë një kompanie serioze, për të cilën thotë se deri tash ka bërë punë të mirë.

Ministri ndër të tjera ka zbuluar se shpenzimet në renovimin e stadiumit, faza e fundit, do ta kapin shifrën e 4.2 deri në 4.3 milionë eurove.

Ai beson se me këtë shifër do të përmbyllet ky projekt dhe uron që inspektorët e UEFA-s të mos kenë kërkesa shtesë në mënyrë që të mos i qesin MKRS-së probleme për të investuar më shumë në stadium.

Sidoqoftë, nëse ka ndonjë kërkesë ai është i gatshëm të intervenojë dhe ta japë dritën jeshile për investime shtesë.

Vokrri: Shpresojmë ta kemi një miqësore të Përfaqësueses në qershor

Kreu i futbollit kosovar Fadil Vokrri shpreson që punimet të shkojnë sipas parashikimeve dhe që në muajin qershor stadiumit t’ia bëjë sefte Përfaqësuesja e Kosovës me një ndeshje miqësore.

“Sipas informacioneve që i kemi nga Departamenti i Sportit dhe nga Ministria e Sportit, fillimisht duhet të testohet bari me një ndeshje jozyrtare dhe pa shikues. Pastaj, në funksion të përfundimit të punimeve ne do ta organizojmë ndoshta një ndeshje inauguruese. Mirëpo ajo mbetet pas testimit të barit. Atëherë edhe mund të bisedojmë për detajet dhe datën ekzakte nëse mund të organizohet një ndeshje miqësore, nëse punimet kryhen në dinamikën e paraparë dhe nëse kryhen me kohë, në fillim të qershorit”, u shpreh Vokrri, i cili beson se këtë verë edhe klubet kosovare mund t’i zhvillojnë ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe të Europa League-s aty nëse stadiumi është gati nga qershori.

Ai mendon se në stadium është bërë një punë e madhe dhe se po shihet që pamja e tij ka ndryshuar tërësisht, prandaj, shton ai, po bëhet një impiant i mirë. Inspektorët Joachim Brachert e Marshall Nicolaus ia lëshuan një sy stadiumit dje, ndërsa sot atyre do t’u bashkohet edhe inspektori tjetër, Mark Blackbourne.

Më pas të tre bashkërisht do ta japin vlerësimin dhe rekomandimet e tyre. /Zëri/