Njeriu i 'Hat-Trickave'

Sport March 20, 2018 - 10:29

Cristiano Ronaldo e arriti “Hat-trick”-un e 50-të në karrierë të dielën ndaj Gironas. Ylli portugez shënoi katër herë në fitoren e Realit me rezultat 6:3. “CR7” 44 tregolësha i ka realizuar me “Los Blancos”, pesë me Portugalinë dhe vetëm një me Manchester Unitedin. Ronaldo këtë sezon deri tash ka shënuar 37 gola, ndërsa në total në karrierë ka shënuar 645 të tilla

Shumë sulmues e koleksionojnë një kabinet me topa të “Hat-trick”-ave.

Mirëpo, Cristiano Ronaldos i nevojitet një garazh për këtë, shkruan sot gazeta Zëri.

Ylli portugez e regjistroi të dielën që shkoi tregolëshin numër 50 në karrierë, në fitoren e Real Madridit me rezultat 6:3 ndaj Gironas në “Santiago Bernabeu”.

Më saktësisht, “CR7” i realizoi katër nga gjashtë golat e ekipit të tij, për ta bërë një tjetër arritje në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

33-vjeçari ka realizuar 37 gola me klubin spanjoll këtë edicion dhe ka arritur në shifrën e 566 golave me klubet gjatë karrierës së tij.

Kur ia përfshijmë edhe golat që ka realizuar me Portugalinë, ai e arrin shifrën astronomike prej 645 golash.

Ai e kishte realizuar vetëm një “Hat-trick” me Manchester Unitedin, për të vazhduar me 44 sosh me “Los Blancos” dhe pesë me Përfaqësuesen e Portugalisë.

Nuk është befasi që 34 nga to i ka shënuar në La Liga, rekord në kampionatin spanjoll, për krahasim nga një të shënuar në Premierligë, atë në janar të vitit 2008 në fitoren 6:0 ndaj Newcastlet.

Shtatë prej tyre i ka realizuar në Ligën e Kampionëve, dy në Copa del Rey dhe një në Botërorin e Klubeve.

Ronaldo ishte transferuar në “Santiago Bernabeu” në vitin 2009 dhe “Hat-trick”-un e parë me klubin spanjoll e arriti në fund të sezonit debutues, në fitoren 4:1 ndaj Mallorcas.

Kurse katërgolëshin e parë e arriti në sezonin pasues ndaj Racing Santanderit.

Image

Për Portugalinë ai i ka realizuar katër tregolësha në kualifikimet e Botërorit dhe një në kualifikimet e Evropianit.

Tregolëshi i tij i parë me kampionin e Evropës ishte ai ndaj Irlandës së Veriut në kualifikimet e Botërorit, në fitoren 4:2 në shtator 2013.

Sa i përket Championsit, Ronaldo është i vetmi lojtar që ka shënuar tre “Hat-trick”-a brenda një sezoni, ndaj Shakhtar Donetsk, Malmo e Wolfsburg në fitoret e regjistruara në sezonin 2015-16.

Është e vërtetë se pjesa dërrmuese e tregolëshave të Ronaldos kanë arritur ndaj ekipeve si Levante, Getafe apo Granada.

Një fakt interesant është se Ronaldo ka shënuar më shumë tregolësha në ligë qëkur iu bashkua Realit në vitin 2009 sesa ish-klubi i tij, Manchester United.

Ronaldo nga ajo kohë ka realizuar 34 “Hat-trick”-a, kurse United është ndalur në 32 sosh.

Ronaldo është përpara Lionel Messit, i cili deri tash ka realizuar 44 tregolësha, tre prej tyre për Argjentinën.

Natyrisht, ylli argjentinas është më i ri dhe ka ende kohë për ta arritur yllin portugez.

Gjithsesi, Ronaldo është shumë larg rekordit absolut të tregolëshave në histori, të cilin e mban legjenda braziliane Pele, që gjatë karrierës kishte shënuar 92 “Hat-trick”-a.

Nëntë katërgolësha, dy pesëgolësha

Katërgolëshi i Ronaldos ndaj Gironas ishte i nënti në karrierë, ndërsa i kishte realizuar edhe nga pesë gola dy herë.

Pesëgolëshat kishin arritur në fitoren 9:1 në La Liga ndaj Granadas në prill 2015 dhe në fitoren në udhëtim 6:0 ndaj Espanyolit në shtator 2015. /Zëri/