Kulmin e sheh në Olimpiadë

Sport March 17, 2018 - 14:33
“Mbreti” Herolind!

Herolind Nishevci është bërë një “mbret” i sportit në Kosovë. Karateisti qe dy vjet rresht shpallet sportisti më i mirë në Kosovë nga institucioni më i lartë sportiv në vend, i cili këtë çmim në konkurrencën e femrave qe dy herë ia jep Majlinda Kelmendit. Kjo e ka bërë Nishevcin njeriun më të lumtur në vend. Por, ai nuk e ka ndërmend të ndalet. Synon të ecën me hapa të sigurt drejt olimpiadës “Tokio 2020”, ku madje do të provojë t’ia nxjerrë Kosovës ndonjë medalje

Nuk është shumë moti kur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi që karatenë ta kategorizojë si sport olimpik, duke ua mundësuar karateistëve nga mbarë bota të luftojnë për ta arritur normën e pikëve për pjesëmarrje në olimpiadën “Tokio 2020”. Ky lajm ishte mirëpritur në Kosovë, ku tashmë ishte një karateist shumë i fortë dhe mjaft premtues. Fjala është për Herolind Nishevcin, i cili viteve të fundit është bërë ndër sportistët më të rëndësishëm të shtetit. Madje, ai po e shoqëron të jashtëzakonshmen Majlinda Kelmendin në podiumet në të cilat ndahen çmime të rëndësishme për sportistët më të mëdhenj. Këtë më së miri e tregojnë dy vjetët e fundit e në të cilat Nishevci fitoi çmime të rëndësishme falë sukseseve të tij në arenën ndërkombëtare. Madje është institucioni më i lartë sportiv në vend, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), i cili për të dytin vit rresht e shpalli Nishevcin sportist të vitit në vendin tonë në konkurrencën e meshkujve, të cilin çmim në kategorinë e femrave e ka fituar kampionia olimpike Majlinda Kelmendi po në vitet 2016-2017.

Një medalje e bronztë nga Kampionati Botëror, vendi i pestë në Kampionat Evropian dhe medaljet e arta dhe të bronzta nga Premierligat ndërkombëtare e kanë bërë Nishevcin “mbret” në Kosovë. Po jo vetëm. Qe një kohë të gjatë ai është në mesin e dhjetë karateistëve më të mirë të ranglistës botërore, ndërsa tashmë pret të jetë ngjitur në “Top-5”, gjë që ia mundëson pjesëmarrjen në Olimpiadën e ardhshme, ku Kosova natyrisht se do të marrë pjesë, madje me shumë gjasë me një numër të madh xhudistësh, por edhe në ndonjë sport tjetër. Krejt kjo e bën Nishevcin një njeri tejet të lumtur, ndër më të lumturit në vendin tonë. “Është ndjenjë e veçantë kur shpallesh sportist i vitit dy herë rresht, madje nga institucioni më i lartë sportiv, kur dihet se KOK-u i merr parasysh rezultatet kulminante. Ndjenjë tepër e veçantë. Për këtë i falënderoj trajneren time Shqipe Zogianin dhe trajnerin tim Fehmi Mahallën, por edhe familjen time për përkrahjen e vazhdueshme”, thotë Nishevci për “Zërin”.

Por, krejt kjo nuk i mjafton. Nishevcit i janë shtuar apetitet. Ai tani e ka një qëllim jetësor – një medalje olimpike. “Synimet e mia janë që t’i sjell Kosovës sa më shumë medalje evropiane dhe botërore e po ashtu nga garat e tjera të rëndësishme. Dua t’i mbledh pikët drejt kualifikimit në olimpiadën “Tokio 2020”. Aktualisht janë në 10-shën e parë, por ende nuk janë llogaritur pikët nga fitorja e fundit në Austri, gjë që pret të më dërgojë në 5-shen e parë që është pozitë e favorshme në rrugëtim olimpik”, tha Nishevci.

“Gjatë këtij viti, përkatësisht në maj, mbahet Kampionati Evropian dhe në nëntor zhvillohet Kampionati Botëror, në të cilat gara synoj të fitoj medalje për Kosovën dhe të bëj hapa të tjerë të mëdhenj drejt Lojërave Olimpike”, theksoi ai.

I bindur se do të shkojë në “Tokio 2020”, Nishevci shpreson t’i sjellë medalje olimpike Kosovës siç kishte bërë Majlinda Kelmendi në “Rio 2016”. “Jam duke u përgatitur maksimalisht që Kosova ta dërgojë një karateist për herë të parë në Olimpiadë e do të provoj të fitoj medalje sikurse që kisha bërë në Botëror, ku ishte hera e parë që morëm pjesë si Kosovë”, përfundoi Nishevci.

Kosova kërkon pikë olimpike në Holandë

Të premten ka filluar gara e madhe ndërkombëtare e karatesë “Premierleague Rotterdam” në Holandë, ku merr pjesë edhe Kosova. Herolind Nishevci do të garojë në kategorinë

84 kg, kurse nga lëndimi i rëndë kthehet Alvin Karaqi, i cili garon në të njëjtën kategori. Ndërsa Oreges Arifi do të marrë pjesë në kategorinë 60 kg. Në Holandë do të marrin pjesë edhe Fortesa Orana, Diellza Dragusha e Adelina Rama. Kjo garë në dispozicion ka pikë olimpike.

Image

Image