Kërkojnë biletat e fundit të çerekfinales së Championsit

Sport March 13, 2018 - 16:58

Të martën dhe të mërkurën do të mësohen edhe emrat e katër skuadrave të fundit çerekfinaliste në Ligën e Kampionëve. Pas një barazimi pa gola 0:0, Manchester Unitedi dhe Sevilla do të luftojnë të jenë në mesin e tetë skuadrave të fundit në kompeticionin më prestigjioz evropian, kurse në “Olimpico” Roma do ta kërkojë përmbysjen kundër Shakhtarit. Të mërkurën vëmendja do të jetë në sfidën mes Barcelonës dhe Chelseat. Ndërkohë, Bayern Munichun e pret një ndeshje e rëndomtë pas asaj fitoreje prej 5:0 në sfidën e parë ndaj Besiktasit

Gjatë kësaj mesjave futbolldashësit do t’i mësojnë edhe katër ekipet e fundit çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Liverpooli, Real Madridi, Manchester City dhe Juventusi tashmë kanë prerë biletën për këtë fazë të kompeticionit më të madh evropian për klube, kurse këtë javë mbeten të mësohen edhe katër klubet e tjera.

Manchester Unitedi dhe Sevilla barazuan 0:0 në ndeshjen e parë në Spanjë dhe kjo pa dyshim që e lë mjaft të hapur çështjen e çerekfinalistit të ardhshëm.

Klubi spanjoll pati një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e parë, duke e rrezikuar mjaft herë portën e David De Geas, i cili ishte më i miri për “djajtë e kuq” në atë ndeshje.

Të drejtuarit e Vincenzo Montellas, që u mposhtën në fundjavë 2:0 nga Valencia, do të mundohen ta përsërisin paraqitjen e njëjtë edhe në “Old Trafford”, kurse Mancehster Unitedi hyn mjaft e motivuar në këtë takim pas fitores në 2:1 në derbin ndaj Liverpoolit të shtunën.

Në ndeshjen tjetër të së martës Roma do të kërkojë ta përmbysë Shakhtarin në mënyrë që të kualifikohet në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.

Romakët u mposhtën 2:1 në Ukrainë, por forma e tyre është ngritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit dhe do të mundohen ta japin më të mirën para tifozëve të tyre.

Shakhtari udhëton drejt Italisë me avantazhin e një goli dhe pa dyshim që kjo i favorizon për të kaluar më tutje, por romakët nuk do të ndalen pa e bërë betejën e tyre.

Të mërkurën vëmendja më e madhe do të jetë në “Camp Nou”, në sfidën mes Barcelonës dhe Chelseat.

Ndeshja e tyre e fundit mes dy klubeve në Spanjë daton në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2012 dhe kishte përfunduar 2:2, ku Chelsea ishte kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 3:2 dhe më pas kishte triumfuar edhe në finalen e këtij kompeticioni.

Klubi anglez dhe ai spanjoll barazuan 1:1 në sfidën e parë në Londër dhe dilema e çerekfinalistit të ardhshëm mbetet ende e hapur.

Ekipi i Antonio Contes hyn në këtë takim pas fitores 2:1 ndaj Crystal Palacet në fundjavë, ndërsa Barcelona mposhti Malagan në udhëtim 0:2.

Mungesa më e madhe për Barcelonën në këtë takim do të jetë mesfushori Andres Iniesta, kurse tek Chelsea mbetet në dyshim paraqitja e Antonio Rudigerit.

Në ndeshjen tjetër të së mërkurës Bayern Munichu udhëton drejt Turqisë për t’u përballur me Besitkasin.

Gjigandi bavarez tashmë është me një këmbë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas fitores 5:0 në shtëpi në ndeshjen e parë dhe për ekipin e Jupp Heynckesit kjo pritet të jetë thjesht një sfidë e zakontë.

Rezultati i thellë pa dyshim që u garanton siguri të madhe gjermanëve. /Zëri/

Liga e Kampionëve

E teta e finales

E martë

20:45 Man. United – Sevilla    (0:0)

20:45 Roma – Shakhtar          (1:2)

E mërkurë

18:00 Besiktas – B. Munich    (0:5)

20:45 Barcelona – Chelsea    (1:1)

*Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para