Hakmarrje e Milanit në 'Olimpico', kuqezinjtë të 'frikshëm' drejt derbit

Sport February 25, 2018 - 22:42
Ja me çfarë rezultati u mbyll ky derb

Milani me Gattuson në stol vazhdon të bindë, këtë herë më shumë se kurrë më parë.

Kuqezinjtë janë hakmarrë ndaj Romës, duke triumfuar në “Olimpico” me të njëjtin rezultat që u mposhtën në fazën e parë, 0-2.

Patric Cutrone dhe Calabria i siguruan triumfin Milanit në sfidën e drejtpërdrejtë për Europën ndaj Romës.

Në pjesën e parë ishte Roma më kërkuese, edhe pse kontrolli i topit ishte i barabartë. verdhekuqtë krijuan disa raste për shënim, ndërsa në anën tjetër, Milani thuajse nuk e rrezikoi asnjëherë portën kundërshtare.

Por pjesa e dytë nisi tërësisht ndryshe. Suso shërbehet nga e djathta dhe lëshon një asist për Cutronen, i cili tregohet më i shpejtë se Manolas dhe me një prekje të lehtë e dërgon në rrjetë, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.

Goli i parë u shoqërua edhe nga disa raste të tjera për shënim nga kuqezinjtë. Fillimisht Kesie e më pas edhe Calhanoglu shpërdoruan raste të mira për shënim.

Në minutën e 64, Roma largon Nainngolan, ndërsa aktivizohet boshnjaku Dzeko për t’i dhënë gjallëri fazës sulmuese të Romës.

Milani pati edhe një tjetër rast të artë me Kalinic, por goditja e tij u ndal nga një super Alison.

Por në të 74-tën, Alisson nuk pati asnjë mundësi reagimi ndaj goditjes së mrekullueshme të Calabrias, i cili e mposhti për herë të dytë.

Minutat e mbetura nuk sollën asnjë ndryshim në rezultat, ndërsa Milani siguroi 3 pikë të artë, ndërsa prej 5 ndeshjesh nuk pëson gol.

Tashmë është një Milan i frikshëm para derbit ndaj Interit…/TCH/