Hadergjonaj për The Guardian: Ja pse e zgjodha Zvicrën para Kosovës

Sport February 24, 2018 - 18:01

Florent Hadergjonaj thotë ta ketë pasur shumë të vështirë marrjen e vendimin për ta përfaqësuar vendin që e ka rritur, Zvicrën, në vend të vendit nga i cili e ka prejardhjen, Kosovën.

Në korrik të vitit të kaluar, Hadergjonaj e refuzoi ftesën e për të luajtur për Kosovën në kualifikimet për “Rusia 2018”, duke e njoftuar trajnerin e atëhershëm të Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjakin, se tashmë e kishte zgjedhur Zvicrën.

Në një intervistë për të përditshmen britanike “The Guardian”, mbrojtësi i djathtë i Huddersfield në Premierligën angleze, Florent Hadergjonaj, ka folur hapur rreth vendimit të tij për ta refuzuar Kosovën për Zvicrën, transmeton Express.  

“Ishte vendim i vështirë, ngjashëm siç ishte edhe për lojtarët tjerë, si Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka”, ka thënë Hadergjonaj.

Hadergjonaj u lind në Langnau, Zvicër, nga prindër që kishin emigruar nga Kosova një dekadë më parë për të punuar në një fabrikë të paketimit të mishit. Kur e bëri paraqitjen e parë për Zvicrën në një ndeshje miqësore kundër Bjellorusisë në qershorin e vitit të kaluar, ai ia ka rritur vetes shanset edhe më shumë për të garuar kundër Neymarit në Kupën e Botës gjatë kësaj verës, ku Zvicra nisi kampanjën kundër Brazilit. Megjithatë, shumë njerëz mbeten të zhgënjyer – ata që deshën që Hadergjonaj të luante për Kosovën, shkruan e përditshmja britanike.

“Edhe ndaj tyre u bë presion. Sa më përket mua, familja ime vjen nga Kosova dhe unë shkoj atje një apo dy herë në vit për t’i vizituar të afërmit. Është situatë e vështirë sepse disa njerëz thonë: ‘E gjithë familja juaj vjen nga Kosova, duhet të luash për ta’ dhe të tjerët thonë: ‘Ti je lindur në Zvicër, duhet të luash për ta’. Lojtarët që ndodhen në këtë pozitë gjithmonë e kanë të vështirë. Unë mendoj se Zvicra më dha mundësinë për t’u rritur dhe të jem, do të thosha, djalosh i mirë; kam kaluar nëpër futbollin zviceran; Zvicra ia dha mundësinë prindërve të mi të krijonin diçka të mirë për vete, të ndërtonin diçka”, ka shtuar ai.

Hadergjonaj ka luajtur më parë edhe për grupmoshat U-20 dhe U-21 të Zvicrës. /Express/