Shpërthen futbollisti i Trepçës ’89: E kam merituar ftesën e Kosovës

Sport January 22, 2018 - 20:28

Sulmuesi i kampionit në fuqi, Trepçës ’89 nga Mitrovica, Fiton Hajdari, i ka mbetur goxha hatri në përzgjedhësin e përkohshëm të Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.

Hajdari tha se e ka merituar të përfshihet në ekipin e Kosovës, e cila kësaj radhe përbëhet nga lojtarët e Superligës së Kosovës dhe me 2 shkurt do të luajnë miqësore me Azerbajxhanin.

“Jam i befasuar dhe i zhgënjyer me listën e futbollistëve. E meritoja të jam para gjysmës së atyre futbollistëve në atë listë”, tha Hajdari për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Pse jeni aq i zhgënjyer dhe kush iu njoftoi se keni mbetur jashtë listës?

“Jam i zhgënjyer, se kur pash shumë futbollistë që nuk kanë bërë asgjë, as nuk kanë fituar asgjë me ekipet e tyre, të jenë para meje, kjo më brengosi”, tha Hajdari.

Ndërkaq, lista e futbollistëve ende nuk është publikuar nga përzgjedhësi Sahiti, por Hajdari e ka marrë vesh se emri tij nuk figuron aty.

Ndeshja me Azerbajxhanin që zhvillohet në Antalia më 2 shkurt, do të jetë e para për Kosovën në vitin 2018.

Megjithatë, Kosova kësaj radhe paraqitet me lojtarët e Superligës dhe është një miqësore e mirëseardhur. Në fakt, për Sahitin është ndeshja e dytë që do ta drejton pas fitores në miqësore me rezultat 4:3 kundër Letonisë, në takimin që ishte zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari”. /Gazetaolle/Image