Ari dhe argjend për Kosovën

Sport January 20, 2018 - 13:05

Kosova e ka nisur perfekt vitin 2018 në arenën ndërkombëtare të xhudos. Kjo pasi Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi të premten i kanë fituar dy medalje në Grand Prix, që po mbahet në Tunizi. Të dyja reprezentueset e Kosovës kanë shfaqur paraqitje shumë të mira, duke i arsyetuar ambiciet e tyre për të shkuar në olimpiadën “Tokio 2020”.

Nora Gjakova ka shkëlqyer në kategorinë 57 kg, sikurse Distria në kategorinë 52 kg. Nora ka fituar medalje të artë në Grand Prix, kurse Distria të argjendtë, shkruan "Zëri".

Nora e fitoi finalen e madhe përballë xhudistes nga Koreja Jugore Youjeong Kwon, e cila kishte bilanc dukshëm më të mirë nga përballjet e kaluara me reprezentuesen tonë. Por, kosovarja të premten i shfaqi vlerat e saja të vërteta duke e mundur jug-koreanen me plot meritë për t’ia sjellë Kosovës një tjetër medalje të rëndësishme.

Deri te medalja e artë Nora paraprakisht i ka fituar tri lufta të tjera. Rrethin e parë e ka kaluar pa luftë, kurse në xhiron e dytë e ka mposhtur me një wazari turken Nazlicna Ozerler.

Kurse kualifikimin në gjysmëfinale ajo e ka siguruar me fitoren ndaj garueses së Hong Kongut, Po sum Leung. Nora ishte e shkëlqyeshme edhe në gjysmëfinale, ku u sigurua se do të fitojë medalje. Kjo pasi me fitore ndaj përfaqësueses së Panamasë, Miryam Roper, Nora u kualifikua në finalen e madhe për ta fituar maksimumin e mundshëm, medaljen e artë.

Afër medaljes së artë ishte edhe Distria, por në fund u detyrua të kënaqet me medaljen e argjendtë. Braziliania Jessica Pereira ishte e pakalueshme. Pereira ka fituar me Ippon, ndonëse deri në çastet e fundit ishte në disavantazh përballë kosovares, së cilës i mungoi përqendrimi psikik në çastet vendimtare.

Mirëpo Distria mund të krenohet me paraqitjen e saj. Deri në finalen e madhe ajo i ka shënuar tri fitore.

Në xhiron e parë nuk kishte kundërshtare, kurse në rrethin e dytë e ka mundur me dy wazari garuesen vendase nga Tunizia, Amani Gannouni. Ndërkohë, me fitore ndaj spanjolles Ana Perez Box Distria shkoi në gjysmëfinale, ku e kaloi edhe sllovenen Anja Stangar për ta prekur finalen e madhe, në të cilën definitivisht ishte e pafat.

Në Grand Prix të Tunizisë të shtunën do të garojë edhe Akil Gjakova në kategorinë 73 kg. /ZËRI/