Një kanadez aktivizon karlingun në Kosovë

Sport January 16, 2018 - 12:33

Në Kosovë sportet dimërore janë pak, të mos themi aspak aktive, shkruan sot gazeta Zëri.

Madje janë disa sporte aspak të njohura në vendin tonë, edhe pse federatat e këtyre sporteve ekzistojnë.

Për shembull, në Kosovë shumë pak njerëz kanë dëgjuar për sportin e karlingut.

Momentalisht nuk ka infrastrukturë për zhvillimin e këtij sporti, por një kanadez, emri i së cilit është Peter Andersen, po mundohet ta zhvillojë dhe ta masivizojë karlingun në vendin tonë përmes disa terreneve të improvizuara.

“Karlingu në Kosovë? Një kanadez dëshiron që kjo të ndodhë. Peter Andersen është duke u munduar ta zhvillojë këtë sport në një vend të vogël dhe të kontestuar”, e nis shkrimin portali kanadez “cbc.ca”.

Image

Shkrimi nis me të kaluarën e Kosovës, e cila ka vuajtur nga pushtuesit e ndryshëm deri tek ata serbë, nga të cilët megjithatë ky vend i vogël i Ballkanit u çlirua përfundimisht në vitin 1999.

Pastaj shkrimi e cek faktin se në Kosovë momentalisht nuk ka klube të parkingut e as terren të akullt për të luajtur.

Peter Andersen kishte diplomuar në kolegj në prill të vitit 2016 dhe në atë kohë ishte ftuar nga xhaxhai i tij, i cili punon këtu në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

“Viti 2016 ishte i pari që kam shkuar në një vend që nuk ka ndonjë klub karlingu”, ka thënë Andersen, i cili në dy vjetët e fundit ka lëvizur në Prishtinë, ku po zhvillon “karling të rrugës”, duke ua demonstruar të rinjve kosovarë programin e karlingut, ndërsa e ka përfaqësuar Federatën e Karlingut të Kosovës në Kongresin e Federatës Botërore të Karlingut.

Karling në rrugë

Pasi i siguroi 12 mijë dollarë si asistencë për zhvillim të këtij sporti nga Federata Botërore e Karlingut, Andersen e bleu një fushë të karlingut të rrugës në Toronto dhe e përdori atë në Sheshin e Prishtinës.

“Është një shtrim plastike në rrugë dhe kjo është fusha e karlingut momentalisht në Kosovë”, tregon ai.

Rreth 250 fëmijë ishin mbledhur në Sheshin e Prishtinës në muajin qershor për ta provuar këtë sport aspak të zakontë në Kosovë, por edhe vullnetarë tjerë që kalonin andejpari.

“Njerëzit nuk ia kishin idenë se çka po fillonin të luanin”, shton Andersen.

Image

Ai e pranon se politika ia ka vështirësuar punët sportit në avancimin e tij.

Kanadezi po ashtu mendon se përmes këtij sporti mund të bashkohen edhe të rinjtë e popujve të ndryshëm, duke përfshirë edhe ata që ishin në konflikte shekullore.

Synim i Andersenit është që ta zhvillojë karlingun në vendin tonë.

Ai ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të federatave tjera për ta parë mundësinë se si ta vërë në jetë këtë sport në Kosovë.

Po shikohet edhe mundësia se si të ndërtohet një terren i karlingut në akull.

24-vjeçari duket mjaft ambicioz dhe dëshiron të punojë “full-time” në Kosovë për karlingun. /Zëri/