Bolt në provë te Borussia Dortmund, por ëndërron Manchester United

Sport January 08, 2018 - 15:26

Nga yll i atletikës, në futbollist potencial. Kjo është ëndrra e Usain Bolt. Legjenda xhamajkane e garave të shpejtësisë nuk e ka fshehur asnjëherë pasionin për futbollin dhe tashmë është i gatshëm të zbresë në fushë.

Pasi i dha lamtumirën atletikës, tashmë në moshën 31-vjeçare është gati të nisë një karrierë të re. Në muajin mars, Bolt do të kryejë një provë te Borussia Dortmund. Ky është testi për të përcaktuar se çfarë mund të bëjë realisht në futboll.

Sipas rekordmenit të botës, nëse në klubin gjerman i thonë se është i aftë dhe ka vetëm pak nevojë për t’u stërvitur, ai do ta vazhdojë karrierën. Edhe për një kampion të madh si Usain Bolt, është më se normale që përpara testit të jetë nervoz, por ish-atletit i ka ndodhur e njëjta gjë edhe kur nisi të praktikonte garat e vrapimit.

Fakti interesant është se pavarësisht provës së muajit të ardhshëm te Borussia Dortmund, zemra e tij rreh për Manchester United. Ëndrra e madhe e xhamajkanit është që të luajë me “Djajtë e Kuq”, ndërsa ka marrë një premtim edhe nga Sir Alex Ferguson, që i ka premtuar se nëse është në formë dhe gati për të luajtur do të ndërhyjë te drejtuesit në “Old Trafford”, transmeton SS.

Teatri i ëndrrave është impianti ku Bolt ëndërron të luajë, ku madje ka zgjedhur edhe rolin dhe nivelin: kërkon kampionatin elitar, sepse nuk mund ta pranojë të jetë një lojtar mesatar dhe të aktivizohet si mesfushor krahu. Pozicion që i shkon për shtat kampionit të madh të atletikës, edhe sepse padyshim që shpejtësia nuk i mungon.