ZYRTARE: Ky është vendimi final i futbollistëve të Feronikelit!

Sport December 14, 2017 - 15:37

Kryesia e re e Feronikelit dhe Federata e Futbollit të Kosovës ua kanë pamundësuar futbollistëve largimin nga skuadra nga Drenasi, përkundër faktit se ata i kishin marrë fletëlëshimet nga kryesia e larguar së fundmi, shkruan zeri.info.

Futbollistët nuk kanë marrë kurrfarë sigurie bankare me shkrim, por kanë vendosur t’ju besojnë premtimeve gojore të kryesisë së re se tek kampioni i dyfishtë i Kosovës nuk do të ketë kurrfarë destabiliteti, pas takimit të zhvilluar sot.

Lojtarët për një moment ishin konfuz dhe nuk e dinin të ardhmen e tyre, por kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ishte iniciator i largimit të kryesisë së deritashme, reagoi menjëherë, duke e emëruar kryesinë e re. Kjo bëri që futbollistët ta ndërronin mendjen dhe të vendosin të qëndrojnë në Drenas.

“Ka pasur disa paqartësi pas dorëheqjes së kryetarit dhe kryesisë, por ajo tashmë ka kaluar, është bërë kryesia e re. Ne kemi kontratë valide me klubin, kështu që krejt lojtarët kemi vendosur të vazhdojmë. Ju kemi kthyer normalitetit të gjithë”, thotë për “Zërin” kapiteni Behar Maliqi.

“Ne nuk kemi menduar asnjëherë të largohemi nga klubi, por realisht nuk e kemi ditur se kush do të vinte dhe se çka do të bëhet me klub. Por, në momentin që është bërë kryesia e re edhe kontratat kanë vazhduar ashtu siç i kishim dhe kemi vendosur të vazhdojmë në klub. Asnjë lojtar nuk e ka ndërmend të largohet nga klubi, pasi Feronikeli është njëri prej klubeve më të organizuara në Kosovë dhe më të suksesshëm”, vazhdoi ai.

“Kryesia e re, në krye me kryetarin Agim Kastrati na ka premtuar se këto kontrata do të realizohen siç kanë qenë. Ne i besojmë kryesisë së re dhe na mbetet vetëm ta vazhdojmë punën”, përfundoi mesfushori kosovar. /Zëri/