Në Hungari për Stadiumin Nacional

Sport December 08, 2017 - 13:39

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, po qëndron për një vizitë zyrtare në Budapest të Hungarisë, ku po zhvillon takime të shumta me përfaqësues të shtetit hungarez, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Të enjten gjatë ditës ministri Gashi e ka takuar sekretarin e shtetit për Administratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, Csaba Balogh, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë në shumë sfera.

Ministria e Sportit njofton se njëra nga temat kryesore të bisedimit ka qenë zbatimi i projekteve konkrete, siç është ai i ndërtimit të Stadiumit Nacional të Kosovës, ku të dy janë pajtuar për ta shikuar mundësinë e mbështetjes financiare të Kosovës për këtë projekt përmes kredisë së butë që mund ta japë Hungaria.

Gjithashtu ministri Gashi është takuar edhe me komisionarin ministror të qeverisë hungareze, Istvan Joo, me të cilin kanë diskutuar për mundësitë konkrete të mbështetjes financiare të projektit për ndërtimin e Stadiumit Nacional të Kosovës përmes kredisë së butë që Hungaria mund ta ofrojë për Republikën e Kosovës.

Csaba Balogh dhe Istvan Joo e kanë rikonfirmuar vullnetin e shtetit hungarez për të realizuar edhe projekte të tjera, jo vetëm në fushën sportive.

“Ministri Gashi dhe MKRS-ja do të mbeten të përkushtuar që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm të fillojnë procedurat për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar si njërin ndër projektet kapitale më të rëndësishme në fushën e sportit”, njofton MKRS-ja.

Gjatë ditës së djeshme ministri Gashi e ka vizituar edhe stadiumin kombëtar “Groupama Arena” në Budapest, me ç’rast i ka parë nga afër përvojat e shtetit hungarez në ndërtimin dhe në mirëmbajtjen e stadiumeve nacionale./Zëri