Më 1999 i mbijetoi sulmit të serbëve në veri, më 2017 nënshkruan kontratë në Norvegji

Sport December 05, 2017 - 11:03

Albion Latifi kishte qenë 6-vjeçar kur u përball me vështirësi në jetë. Familjarët kujtojnë kohën kur ai së bashku me nënën dhe vëllain ishte duke shkuar tek familjarët në veri dhe është sulmuar nga kriminelët serbë.

Bëhet fjalë për sulmin e 19 nëntorit të 1999’ës kur serbët tentojnë të ndalin veturën ku gjendej Albioni, mirëpo vetura s’ishte ndalur. Pas kësaj, serbët kishin nisur të godasin me mjete forta duke i shkaktuar frakturë atij në mjekërr ku më pas kishte humbur edhe ndjenjat, shkruan gazetametro.net.

Familjarët e Albionit tregojnë për Metron se ai pavetëdije u dërgua në spitalin e KFOR’it francez, ku më pas arriti të këndellej.

Image

E gjithë kjo histori e trishtë nuk e ndali Albionin për të luftuar për ëndrrën. Ai nisi të luaj futboll që nga fëmijëria në Trepçën ‘89, e shpejt u bë pjesë e ekipit senior të Trepçës.

Image

Albioni u tregua mjaft i suksesshëm pasi si i ri arriti të shpallej sportisti i vitit në Mitrovicë para dy vitesh.

Kohë më pas Albioni kreu prova në disa skuadra të njohura, duke përmendur këtu Werder Bremenin. Ai vazhdoi rrugën e tij drejt Norvegjisë ku u aktivizua për 8 muaj, ndërkohë që këtyre ditëve ai ka nënshkruar edhe kontratë profesionale.

Ky ish-futbollist i Trepçës që i mbijetoi sulmit që për pak sa nuk i mori jetën, tash ka kontratë me klubin norvegjez ‘RADE IL’.

Image

Në pamje të siguruara nga Metro gjatë ceremonisë, Albioni u prit me ovacione në sallën ku po bëhej prezantimi i futbollistëve./gazetametro.net/