E bëjnë Kosovën me ari

Sport November 18, 2017 - 14:12

E premtja ishte një ditë e artë për Kosovën. Dy xhudistet e saj, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, kanë eksploduar në Hagë të Holandës, ku i kanë fituar dy medalje të arta në turneun botëror “Grand Prix”, i vlefshëm për ranglistën botërore, shkruan sot, gazeta Zeri.

Distria ka dhënë leksion në kategorinë 52 kg, sikurse Nora që ka shkëlqyer si ari në kategorinë 57 kg. Kështu Kosova edhe një herë e vërtetoi superioritetin e saj në xhudon ndërkombëtare, për çka u komplimentua edhe nga Federata Botërore

Kosova edhe një herë e ka konfirmuar superioritetin në xhudon ndërkombëtare. Vendi ynë të premten është pasuruar edhe me dy medalje shumë të vlefshme falë shkëlqesisë së Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës në turneun botëror “Grand Prix”, i mbajtur në Hagë të Holandës, i vlefshëm për ranglistën botërore. Dy reprezentueset e Kosovës veten e tyre e treguan të arta, fituan medalje të arta dhe e bënë Kosovën të artë.

Nxënëset e trajnerit Driton Kuka shfaqën formë të lartë dhe mahnitëse. Thjesht Distria ishte superiore në kategorinë 52 kg. Madje i mjaftuan 34 sekonda për ta fituar finalen e madhe. Fantastike ishte edhe Nora, e cila me plot meritë e zuri vendin e parë në kategorinë 57 kg. “Dy të arta! Distria dhe Nora ishin në ditën e tyre. Ato shkëlqyen. Edhe miku ynë i Kosovës, i pari i Federatës Botërore të Xhudos (IJF), na uroi suksesin e madh. Natyrisht, ditë e madhe dhe e bukur për popullin tonë”, ka theksuar trajneri Kuka.

Distria Krasniqi po i shijon ndoshta kohët më fantastike. Pak ditë pasi e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian në kategorinë U-23, xhudistja e njohur dje shpërtheu edhe në turneun botëror “Grand Prix”. Deri te vendi i parë Distria tregoi formë të jashtëzakonshme dhe ishte bindshëm më e mirë sesa kundërshtaret e saja.

Në finalen e kategorisë 52 kg garuesja kosovare e mposhtin spanjollen Estrell Lopez Sheriff, përballë së cilës pati shfaqje fantastike.

Ajo e fitoi finalen brenda 34 sekondave me një Waza-ari dhe pastaj me një Ippon. Distria arriti në finale pasi në gjysmëfinale triumfoi përballë polakes Agata Perenc. Në rrugën drejt zonës së medaljeve Distria paraprakisht i ka fituar dy luftëra tjera. Në xhiron e parë ajo ka festuar ndaj Julie Kemmink nga Holanda, kurse në sfidën e dytë ka fituar përballë Urantsetseg Munkhbat.

Fantastike ishte edhe Nora Gjakova, e cila në finalen e kategorisë 57 kg fitoi ndaj Theresa Stoll. Shansin për të luftuar për medalje të artë Nora e fitoi pasi e mposhti në gjysmëfinale belgen Mina Libeer. Xhiron e parë Nora e ka kaluar pa luftë, kurse në xhiron e dytë ka fituar ndaj amerikanes Katherinne Lieby. Ndërsa në rrethin e tretë ajo e kaloi me fitore holandezen Shannon Van De Meeberg, të cilën e ka mposhtur me Ippon.

Nora dhe Distria kanë marrë lëvdata edhe nga Federata Botërore e Xhudos (IJF). “Një shfaqje fantastike nga Distria dhe me meritë e fiton të artën. Ditë e madhe për Gjakovën dhe medalja e dytë e artë për Kosovën”, shkruante IJF-ja.

Kosova sot e kërkon medaljen e tretë

Kosova është në garë për ta fituar edhe një tjetër medalje në “Grand Prix” të Hagës, përpos atyre të Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit. Kjo pasi në këtë turne botëror të shtunën do të garojë edhe reprezentuesi tjetër kosovar, Akil Gjakova. Ky i fundit do të marrë pjesë në kategorinë 73 kg. Kundërshtari i parë i tij do të jetë gjermani Schamil Dzavbatyrov. Dhe nëse Akili fiton atëherë në rrethin e dytë do të takohet me fituesin e çiftit Daan Ten Heuvel dhe Daniel Williams. /ZERI/.