Stadiumi secilën herë më afër Drenasit

Sport November 07, 2017 - 12:57

Projekti i ndërtimit të stadiumit nacional të Kosovës çdo ditë po shkon më afër Drenasit dhe më larg Prishtinës, ku fillimisht ishte planifikuar ndërtimi i tij, shkruan sot gazeta Zëri.

Pas deklarimit të Ministrisë së Sportit, e cila ka theksuar se vendimi për transferimin e projektit nga Bërnica e Prishtinës në Korroticë të Drenasit është definitiv, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të hënën ua ka prezantuar lokacionin zyrtarëve qeveritarë, përkatësisht atyre të Ministrisë së Sportit.

Fjala është për një zonë ekonomike përballë Parkut të Biznesit në Drenas. Për zonën në fjalë thuhet të jetë shpronësuar nga Qeveria e Kosovës me qëllim të fillimit të procesit të ndërtimit të stadiumit nacional, i cili pritet të kushtojë rreth 50 milionë euro, ndërsa sigurimi i mjeteve financiare dhe detajet tjera tash për tash nuk dihen.

Lladrovci ua ka paraqitur zyrtarëve qeveritarë elaboratin kadastral të kësaj zone dhe e ka vlerësuar se i plotëson të gjitha kushtet e parapara me rregulloret ndërkombëtare për ndërtimin e një stadiumi me kritere të UEFA-s e të FIFA-s, pasi zona në fjalë është në qendër të Kosovës dhe ka autostradën shumë afër, aeroportin, kryeqytetin dhe zonat tjera ekonomike të vendit.

Siç dihet vendimin për ndërtimin e stadiumit nacional e pati marrë ish-kryeministri Hashim Thaçi në vitin 2014.

Në ndërkohë ishte përzgjedhur një lokacion në Bërnicë të Prishtinës e që tani po ndërrohet me Korroticën e Drenasit me insistimin e ministrit Kujtim Gashi, kryetarit të Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovcit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit, pavarësisht mospajtimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetit.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po mundohet në vazhdimësi t’u shmanget polemikave të politikës, ndonëse zyrtarë të lartë të saj kanë theksuar se Komuna e Prishtinës është treguar e ngathët dhe se nuk ka bërë sa duhet për jetësimin e këtij projekti në kryeqytet. /Zëri/