PSG-ja në kërkim të identitetit

Sport September 25, 2017 - 13:13

Trajneri i Bayern Munichut, Carlo Ancelotti beson se Paris Saint-Germaini ende është në kërkim të identitetit pas blerjeve të Neymarit dhe Kylian Mbappes gjatë kësaj vere, transmeton zeri.info

Ish-trajneri i klubit parisien, i cili do të rikthehet të mërkurë në “Parc de Princes” për të luajtur ndaj francezëve në Ligën e Kampionëve, thotë se PSG-ja ka nevojë për kohë që të konsolidohet, pavarësisht kualiteteve të mëdha që ka.

Klubi francez transferoi Neymarin për një shifër rekorde prej 222 milionë eurosh dhe gjithashtu nënshkroi me Kylian Mbappe për të cilin do të paguajë rreth 180 milionë euro në verën e ardhshme.

“Me Neymarin dhe Mbappen, Parisi është duke kërkuar një identitet. Në Bayern është e qartë. Prej vitesh vazhdon vija e njëjtë, identiteti është i qartë, gjë e cila ende i mungon PSG-së”, tha Ancelotti.

“Por, Parisi tashmë është në nivelin e më të mirëve. Kur blen lojtarë më këtë çmim dhe këtë nivel, ju nevojitet kohë dhe duhet të hyjnë në fazën e ndërtimit të ekipit”, shtoi ai./Zëri