’89-shi e arrin fitoren e madhe, mposhti Feronikelin në Drenas

Sport September 22, 2017 - 17:43

Trepça ’89 ka dhënë shenja “kampioneje”. Kampionia në fuqi u është kthyer fitoreve, duke e regjistruar të tretën në këtë stinor, krahas dy humbjeve.

’89-shi të premten i fitoi tri pikë shumë të rëndësishme si mysafir i Feronikelit, të cilin e mposhti me rezultat minimal 0:1.

Ron Broja e ka vendosur fatin e këtij takimi me golin që e shënoi në minutën e 28-të, raporton “Zëri.info”. Edhe John Oto John për pak nuk ka arritur të shënojë në minutën e 88-të, por një futbollist i Feronikelit arriti ta largojë topin nga vija e portës së tij.

Ekipi mitrovicas kishte shkuar në Drenas i mobilizuar për t’iu kthyer fitoreve dhe për ta treguar fuqinë reale që e ka në rrugën drejt mbrojtjes së titullit të kampionit. Derisa mbrojtja e Trepçës ’89 u tregua e sigurt, portieri i Feronikelit, Faton Maloku, shfaqi klasin e lartë, pasi me dy-tri intervenime superiore e ka shpëtuar ekipin e tij pa pësuar edhe më keq, shkruan “Zëri”.

Në fund të ndeshjes tifozët vendas gjuajtën shishe uji në fushë të pakënaqur me gjyqtarët që nuk i dhanë penallti Feronikelit, të cilin e kërkuan futbollistët vendas në minutën e 90 +. 

Me këtë fitore Trepça ’89 është ngjitur në kuotën e 9 pikëve, sa ka edhe “Nikli”, me të cilin do ta vazhdojnë luftën drejt titullit, të cilin trofe e duan edhe Prishtina, Llapi, Gjilani, Drita dhe Liria. /Zëri/