Çerdhja e talenteve

Sport September 19, 2017 - 12:40

Borussia Dortmundi është kthyer në njërin prej klubeve me talentet më të mëdhenj në Evropë. Klubi gjerman nuk e kishte pritur shitjen e sulmuesit Osumane Dembele pas vetëm një viti, por gjithsesi reprezentuesi francez doli të jetë një biznes i mirë për ta, shkruan sot gazeta "Zëri"

Shefi sportiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, ishte duke treguar situatën financiare të klubit gjerman, që kishte një përfitim prej 134 milionë eurosh prej vitit 2013, por askush nuk interesohej për këtë gjë. Të gjithë interesoheshin për vetëm një çështje, atë të Dembeles, nëse ai do të shitej te Barcelona apo jo.

Në fund 20-vjeçari iu bashkua klubit spanjoll për një shifër prej 147 milionë eurosh. Ky transferim sigurisht që do t’i pasurojë edhe më shumë arkat e gjigandit gjerman. Me të vërtetë kjo ka qenë një verë mjaft e parehatshme për Borussia Dortmundin dhe për trajnerin Peter Bosz, i cili vetëm pas përfundimit të afatit kalimtar e dinte se çfarë skuadre do ta kishte në dispozicion.

Kjo pa dyshim që nuk është një situatë e pazakontë për klubet anembanë Evropës, por pak klube ose asnjë nuk ka humbur një talent më të madh se Dortmundi. Kësaj mund t’ia shtojmë edhe tensionin që u është shkaktuar nga një sulm i tmerrshëm në autobusin e skuadrës gjatë muajit prill. Marc Bartra mbeti një muaj i lënduar dhe është mjaft e qartë që ky vit ka qenë mjaft testues për gjermanët.

Problemi kryesor me Dembelen nuk ishte që iu bashkua Barcelonës, sepse ishte e ditur që një ditë ai do të largohet nga klubi, por sepse ai kishte qenë pjesë e gjermanëve vetëm një vit. Pavarësisht kësaj, ai ka qenë nënshkrimi i përkryer i Dortmundit. Një lojtari i ri, i talentuar, të cilit iu kishte dhënë shansi në skuadrën e parë dhe që kishte tejkaluar të gjitha pritjet, shkruan "Zëri".

Kjo është gjëja që Dortmundi di ta bëjë më së miri. Gjermanët kishin punuar shumë që të nënshkruanin me Dembelen. Ata kishin qenë në kontakt me futbollistin për një kohë të gjatë, i kishin thënë se shumë e vlerësonin dhe që mund ta zinte vendin menjëherë vendin në formacionin e parë të skuadrës. “Dortmundi tregoi interesim për mua në një fazë të hershme dhe kishim kontakte të afërta. Sjellja e tyre më la përshtypje”, kishte deklaruar Dembele pas nënshkrimit me klubin në verën e vitit të kaluar.

Transferimi i Dembeles është vetëm njëri prej triumfeve të mëdha të Dortmundit në treg. Gjatë viteve të kaluara ata janë bërë numër një në transferimin e futbollistëve të rinj. Gjatë këtij edicioni Bosz ka nën urdhrat e tij dhjetë futbollistë nën moshën 23-vjeçare. Kur talenti suedez Alexander Isak vendosi për t’u larguar nga AIK-u, në janar të vitit 2017, ai zgjodhi Dortmundin para Real Madridit.

17-vjeçari Jadon Sancho u largua nga Manchester City për të shkuar te klubi gjerman gjatë verës, kurse të njëjtën gjë e bëri edhe Dan-Axel Zagadoi, i cili u largua nga Paris Saint-Germaini.

Që të tre futbollistët janë inkurajuar nga mundësia që u është dhënë Dembeles dhe Christian Pulisicit, i cili ka bërë 41 paraqitje për Dortmundin në ligën gjermane pavarësisht se është vetëm 18-vjeçar.

Përveç emrave të sipërpërmendur ka edhe talente të tjera si: Janni Serra, Dzenis Burnic, Jan-Niklas Beste dhe Manuel Phera, i cili e ka një menaxher si Mino Raiola./Zëri/