Ja ku do t'i zhvillojë FC Prishtina ndeshjet në sezonin e ri!

Sport August 14, 2017 - 16:37

FC Prishtina vazhdon të përballet me problemin e infrastrukturës. Stadiumi i qytetit nuk është renovuar ende dhe Bardhekaltrit janë të detyruar që edicionin e ri 2017/18 ta nisin larg kryeqytetit.

Në fakt, klubi më i madh kosovar ka njoftuar se këtë sezon ndeshjet si vendas do t’i zhvillojë në Drenas, respektivisht në stadiumin e Feronikelit “Rexhep Rexhepi”, shkruan zeri.info.

Gjithashtu, prishtinasit kanë njoftuar se nesër pritet zyrtarizimi i marrëveshjes ndërmjet FC Prishtina dhe Komunës së Drenasit rreth zhvillimit të ndeshjeve në këtë stadium.

Sipas uebfaqes së klubit Bardhekaltër, ndeshja e javës së parë me Dritën, sipas të gjitha gjasave zhvillohet të dielën më 20 gusht nga ora 17:00.

Prishtinasit shtegtuan sa në njërin e sa në tjetrin stadium edhe sezonin e kaluar. /Zëri/