Një serb, gati për Kosovën

Sport July 17, 2017 - 12:16

Ivan Gvozdenoviç i ka thyer të gjitha tabutë. Ai bëhet trajneri i parë serb që publikisht shpreh gatishmërinë për të punuar në Përfaqësuesen e Kosovës. Gvozdenoviç ka deklaruar se do ta shqyrtonte profesionalisht një ofertë eventuale nga Federata e Futbollit e Kosovës e jo në bazë të ndjenjave kombëtare dhe të politikës. Qe shtatë vjet punon në futbollin e Shqipërisë, ku nuk i ka ndodhur asnjë problem. Përkundrazi, atje ka bërë plot miq të mirë. Ish-trajneri i Crvena Zvezdës fillimisht kishte hezituar të shkonte në Shqipëri. Edhe familja i kishte kërkuar t’i refuzojë ofertat e shqiptarëve, por sot ndihet shumë mirë në mesin e tyre

Serbia nuk e njeh assesi Kosovën si shtet dhe në sajë të kësaj as sportin kosovar të ndërkombëtarizuar plotësisht, të cilin madje mundohet ta pengojë akoma në arenën ndërkombëtare duke përdorur politikën.

Madje, as klubet e serbëve të Kosovës nuk e pranojnë shtetin tonë dhe garat e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke preferuar të marrin pjesë në ligat rajonale serbe, ku ndihen shumë më mirë.

Mirëpo, jo të gjithë serbët janë kundër Kosovës. Një prej tyre, që e njeh shtetin tonë, është zëvendëstrajneri aktual i Tiranës, Ivan Gvozdenoviç.

Trajneri serb i ishte bashkuar klubit shqiptar që nga viti 2010 nga Crvena Zvezda dhe që nga ajo kohë ka qenë i pandashëm me “Bardhëblutë”.

Ai thotë se ia kalon mjaft mirë me shqiptarët, të cilët i konsideron njerëz miqësorë dhe nuk preferon ta përziejë politikën me sportin, përjellë zeri.info.

Image

Nuk do t’i thoshte “Jo” Kosovës

Madje trajneri serb ka shkuar edhe më larg, duke u vënë në dispozicion të Përfaqësueses së Kosovë nëse do ta merrte eventualisht ndonjë ofertë nga Federata e Futbollit të Kosovës.

“Drejtimi i Kosovës? Ta mendoj, pse jo?! Në futboll nuk ke shans të thuash jo. Ne jemi këtu komshinj,jemi miq dhe ky është futboll, nuk është politikë. Nëse do të kisha oferta do ta mendoj mirë, por nuk jam për jo”, është shprehur Gvozdenoviç për “Top Channel”.

Shqiptarët, miq të mirë

Fillimisht ai kishte frikë të zbarkonte në Shqipëri për të punuar dhe i kishte refuzuar disa oferta. Por, paragjykimet e tij, njëjtë si të të gjithë bashkëkombësve të tij, ishin të gabueshme dhe tash ai ka respekt të madh për shqiptarët, të cilët i konsideron si miq shumë të mirë.

“Kam dëshirë të flas në shqip, por prapë nuk jam shumë mirë, edhe pse kam qejf ta provoj. Katër herë kisha refuzuar ofertat nga Tirana sepse nuk e dija çfarë ishte Shqipëria, do të kisha probleme apo jo?! Familja e kishte pak problem. ‘Mendohu mirë më thoshin, pse shkon andej, më mirë lëre fare futbollin.’ Unë e dua futbollin dhe isha gati ta provoja, përse jo? Nuk kisha frikë, e di mirë se çfarë është politika, çfarë është futbolli, çfarë është sporti”, rrëfen ai.

“Për Zotin unë kam shumë miq nga Shqipëria dhe nga Kosova, por kam qenë me Pero Pejiçin më shumë kohë. Ai është kroat, por për mua nuk ka asnjë problem, jemi të gjithë njësoj. Ne kemi qenë bashkë edhe me Tiranën, edhe me Kukësin, edhe me Korçën”, nënvizoi trajneri serb.

E turpëroi incidenti serbo-shqiptar në Beograd

Ivan Gvozdenoviç ka folur edhe për incidentin e shëmtuar që kishte ndodhur në Beograd më 14 tetor të viti 2014, kur pas lansimit të dronit në fushë kishin hyrë tifozët serbë, të cilët i kishin sulmuar fizikisht futbollistët shqiptarë në ndeshjen e ndërprerë Serbi – Shqipëri. Ai ndihet i turpëruar me ato që kishte parë atë natë ankthi dhe tmerri.

“Unë isha në Maqedoni me ekipin e Kukësit për fazë përgatitore. Ishim bashkë në një hotel duke parë ndeshjen. Ishin dy lojtarë nga Kosova me ne, domethënë nga Shqipëria. Për mua ishte shumë turp ajo që ndodhi. Për mua ishte një zhgënjim, nuk u ndjeva mirë, u ndjeva i turpëruar. Unë jam këtu prej 6-7 vjetësh dhe nuk kam pasur kurrë probleme, kam shumë shokë”, përfundoi ndihmëstrajneri i Tiranës. /Zëri/