Durim, Kosova ka të ardhme!

Sport July 17, 2017 - 11:38

Kosova ka të ardhme në futboll, por njerëzit që jetojnë në këtë vend duhet të kenë durim, shkruan sot gazeta Zëri.

Kështu mendon Bledi Shkëmbi, ish-futbollist i Kombëtares shqiptare, i cili së fundmi u emërua kryetrajner i Lirisë.

Sipas tij, Përfaqësuesja e Kosovës ka ekip cilësor, por që duhet kohë për t’u komponuar si duhet dhe për të arritur suksese. Ai nënvizon se ky i fundit nuk arrihet menjëherë, siç presin njerëzit në vendin tonë.

“Shoh që Përfaqësuesja e Kosovës ka shumë futbollistë të mirë, momentalisht nuk po arrin ndoshta aty ku duhet, e shoh që edhe trajneri ndoshta fajësohet, por mendoj se është pak shpejt për Kosovën që t’i arrijë ato rezultate, të cilat të gjithë i ëndërrojnë”, ka deklaruar Shkëmbi për “Zërin”.

“Patjetër që duhet krijuar një grup, duhet të vazhdojnë të stërviten bashkë dhe të luajnë për të arritur aty ku duhet. Ka shumë futbollistë të mirë, por tifozët duhet t’i lënë pak kohë këtij ekipi që të shkojë deri aty ku duhet”, nënvizoi ai.

Futbolli kosovar po rritet

Krahas Përfaqësueses, Shkëmbi ka folur edhe për Superligën e Kosovës, për të cilën ka informata të mjaftueshme pasi e ka përcjellë atë ndër vite.

Ai mendon se niveli i futbollit të këtushëm do të rritet gradualisht, mbi të gjitha pas pranimit në UEFA e në FIFA.

“Patjetër që e kam ndjekur futbollin kosovar. Nuk diskutohet, mendoj se ndoshta kampionati shqiptar e ka një nivel pak më të mirë, kjo është normale sepse futbolli në Kosovë nga ky vit do të fillojë të rritet. Në Kosovë ka shumë dëshirë dhe patjetër kur ka dëshirë dhe kur punohet gjithmonë vjen përmirësimi më shpejt dhe ashtu siç duhet”, mendon ai.

“Pranimi në UEFA dhe në FIFA do të ndikojë më së shumti që niveli i futbollit kosovar të ngrihet pasi ai që del kampion, merr pjesë në garat e UEFA-s. Është diçka e mirë sepse ka një mundësi për t’u rritur si ekip, gjithashtu lojtarët për të luajtur në kupat e UEFA-s”, vijoi ai.

Shqipëria ka përparuar shumë

Dikur Shkëmbi ishte pjesë e Kombëtares shqiptare. Tash ai e sheh këtë skuadër të ketë përparuar shumë dhe shpreson që Kuqezinjtë të vijojnë me këtë ritëm pavarësisht ndryshimeve në shtabin teknik.

“Mendoj që ndoshta jo si shumë të tjerë që kanë luajtur futboll dhe i kujtojnë me nostalgji ato kohë, pra futbollin e tyre, dhe thonë se kur luanim ne ishte më mirë, unë mendoj ndryshe, mendoj se Kombëtarja sa vjen dhe përmirësohet. Kur ishim ne ishte një moment tjetër, ndërsa tani një kohë tjetër, është përmirësuar më shumë futbolli, Kombëtarja. Mendoj se kështu do të vazhdojë”, përfundoi Shkëmbi. /Zëri/