Trajneri i Norrkopingut: Kemi përpara 11 luanë të uritur nga Kosova

Sport June 28, 2017 - 19:26

Një sfidë e vështirë, por diçka që IFK Norrkopingu është i lumtur që do ta ketë përpara. Sonte skuadra suedeze do ta zhvillojë ndeshjen e rrethit të parë kualifikues ndaj gjigantit kosovar në Europa League, raporton zeri.info.

Trajneri Jens Gustafsson thotë se ekipi i tij duhet ta shfrytëzojë si është më së miri këtë mundësi.

Ai ka folur në konferencë për shtyp për duelin me prishtinasit, ndërkohë që kampioni i 13-fishtë i Suedisë e ka zhvilluar edhe stërvitjen e fundit të mërkurën para ndeshjes së sontme, e cila do të nisë në orën 20:00.

“E dimë se FC Prishtina do të kërkojë të sulmojë dhe të mbrohet, por e dimë po ashtu se nuk iu ka filluar ende sezoni, duke e bërë më të vështirë punën që t’i vëzhgonim. I kemi parë disa ndeshje të tyre të pranverës”, deklaroi trajneri suedez, përcjellë zeri.info.

Ai pret që skuadra nga Kosova do ta ketë një mbështetje të madhe në tribuna.

Sipas tij, për Norrkopingun është e nevojshme ta bëjë një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë, që e zhvillon në shtëpi.

“Jemi të gatshëm të përballemi me 11 luanë të uritur nga Kosova, që janë të gatshëm të japin gjithçka nga vetja”, shtoi ai. /Zëri/