Pritna Evropë

Sport May 27, 2017 - 13:02

Trepça ’89 nuk do të shkojë si turiste në Evropë. Mitrovicasit insistojnë se do të mundohen ta kalojnë së paku një xhiro në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Ata shpresojnë të kenë fat në short. Trajneri Zekirija Ramadani premton se “Xehetarët” do të bëjnë gjithçka për ta përfaqësuar sa më mirë futbollin kosovar. Po ashtu e pranon se përforcimet në këtë periudhë janë të mirëseardhura, shkruan sot, gazeta Zeri.

Trepça ’89 do ta shkruajë historinë e futbollit kosovar, të cilin do ta përfaqësojë për herë të parë në garat evropiane. Kampioni i freskët i Kosovës është duke i bërë të gjitha përgatitjet për eksperiencën e parë evropiane, ku nuk dëshiron të shkojë si turist.

Mitrovicasit janë në pritje të njoftohen me kundërshtarin e fazës së parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

The New Saints (Uells), Linfield (Irlanda e Veriut), Vikingur Gota (Ishujt Faro), FC Santa Coloma (Andorrë), Hibernians FC (Maltë), FCI Tallinn (Estoni), La Fiorita (San Marino), Europa FC (Gjibraltar) dhe Alashkert (Armeni), janë emrat e kundërshtarëve të mundshëm të ’89-shit, edhe pse më së shumti gjasa për t’iu rënë “hise” mitrovicasve në fazën e parë janë ekipet e lartpërmendura nga Uellsi, Irlanda e Veriut, Ishujt Faro, Andorra e Malta.

Trajneri Zekirija Ramadani shpreson që mitrovicasit të kenë fat në short, i cili hidhet më 19 qershor. Pa dyshim synim i tij është që me “Minatorët” ta kalojë së paku rrethin e parë të këtyre garave.

“Pa fat nuk arrihet asgjë, fati është një faktor kyç. Kundërshtaret bëjnë futboll të ndryshëm dhe nuk kemi kohë për t’i analizuar të gjitha ekipet. Nëse na bien kundërshtarë nga Irlanda e Veriut apo Uellsit, ata bëjnë futboll krejtësisht të ndryshëm nga ne, kanë stil ndryshe. Nëse na bie kampioni i Andorrës, edhe ai luan krejtësisht ndryshe. Ne jemi autsajderë në këtë garë pasi koeficienti ynë është zero. Ne duhet t’i përshtatemi kundërshtarit, t’i përshtatemi kësaj gare dhe mendoj se me kualitetin që kemi dhe me mbështetjen maksimale të tifozëve tanë, besoj se mund t’ia dalim që të paktën një fazë ta kalojmë”, u shpreh Ramadani për “Zërin”.

Ndeshjet e rrethit të parë do të luhen më 28 e 29 qershor, kurse ato të kthimit më 4 e 5 korrik. Trajneri shqiptar nga Maqedonia beson se “Xehetarët” kanë kohë të mjaftueshme për ta bërë ndonjë përforcim, në mënyrë që të jenë edhe më të fortë në garat evropiane.

“Si skuadër do të mundohemi të gjejmë përforcime, por lojtarët që mund të vijnë duhet ta bëjnë diferencën, të paktën të jenë me kualitet të barabartë me lojtarët që kemi, pasi nuk kemi nevojë për numër, kemi nevojë për cilësi, po punojnë në atë drejtim drejtuesit e klubit. Normalisht, secili që vjen është i mirëseardhur për ta ndihmuar ekipin që fillimisht në Evropë ta bëjmë një rund më tepër dhe normalisht kontributi i tyre më pas do të ishte i nevojshëm për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që t’i arrijmë prapë objektivat”, nënvizoi Ramadani.

Ai konfirmoi se do të qëndrojë tek “Xehetarët” së paku edhe një vit. “Për sezonin e ardhshëm veçse kemi rënë dakord. Krejt varet nga objektivi dhe suksesi që do ta arrijmë si klub, nëse do të vazhdojmë edhe më gjatë apo jo”, përfundoi ai.

Zeka siguron se buxheti i ’89-shit tash e tutje do të rritet pasi kampioni i ri do të ketë më shumë të hyra. Edhe lojtarëve, tregon ai, u është premtuar se do të kenë të ardhme edhe më të mirë dhe se do t’ju përmirësohen kushtet.

Ndër të tjera, kreu i klubit mitrovicas thotë se i ka siguruar futbollistët se ’89-shi do të luajë në garat evropiane me ekipin që u shpall kampion, pasi kjo e arritur është meritë e tyre. Ai ndër të tjera ka paralajmëruar se klubi ndërkohë mund t’i marrë 2-3 përforcime

Zeka, optimist

Presidenti i klubit, Abedin Zeka, është optimist se mitrovicasit do të kalojnë mirë në përvojën e tyre të parë në Evropë. Ai i ka garantuar të gjithë futbollistët që e sollën suksesin historik se do të jenë pjesë e projektit të klubit, pasi insiston se e meritojnë një gjë të tillë. “Besoj fuqishëm se do ta kalojmë rrethin e parë të garave në Ligën e Kampionëve, por do të tentojmë ta kalojmë edhe të dytin. Me këtë rast edhe shpërblimet do të rriteshin për çdo kalim të turnit”, është shprehur ai për gazetën.