Bunjaki: Hadërgjonaj ende nuk ka vendosur nëse do t’i bashkohet Zvicrës

Sport May 22, 2017 - 21:56

Kombëtarja e Zvicrës është duke luajtur “një lojë” me përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Ajo sot publikoi listën e futbollistëve për ndeshjen miqësore kundër Bjellorusisë, e në të u shfaq Florent Hadergjonaj.

Menjëherë “IndeksOnline”, ka kontaktuar me trajnerin e Kosovës, Albert Bunjakin i cili e konfirmoi se ky vendim nuk është zyrtar.

“Isha i informuar personalisht nga Florenti, i cili e ka marr këtë vendim vetëm për miqësore dhe pastaj ashtu siç ju kam premtuar deri në lojën me Kroacinë do të vendos se me cilën kombëtare do të luaj defenitivisht”, ka thënë Bunjaki për IndeksOnline.

Përzgjedhësi kosovar shpreson se Hadergjonaj i cili u ftua nga Zvicra për miqësoren kundër Bjellorusisë nga trajneri kroat Petkovic, ta pranoj Kosovën siç bëri Valon Berisha, Milot Rashica, Arbrër Zeneli, Bersant Celina, Besart Berisha dhe Atdhe Nuhiu.

“Unë shpresoj dhe besoj se zemra e tij do të rrah për Kosovën ashtu siç vepruan Valoni, Miloti, Bersanti, Arbëri, Besarti dhe Atdheu e shumë shokë të tjerë që e presin atë”, përfundoi Bunjaku.

Kombëtarja e Zvicrës miqësoren kundër Bjellorusisë pritet ta zhvilloj më 1 qershor, ndërsa pas kësaj pritet përpilimi i listës për ndeshjen kundër Ishujve Faroe e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës.